Zvicra jep sqarim për kosovarët që duan të punojnë pas liberalizimit të vizave

Këshilli Federal i Zvicrës përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se sot kanë aprovuar ndryshimet e nevojshme në përputhje me vendimin e Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Nga 1 janari 2024, kosovarët s’do të jenë të detyruar të pajisen me vizë nëse dëshirojnë të vizitojnë Zvicrën për një qëndrim deri në 90 ditë maksimumi.

“Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për viza që ndërlidhen me sigurinë, kontrollet kufitare dhe migrimin. Për këtë arsye Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Be-së kanë aprovuar rregulloren më 19 prill 2023 që përjashton kosovarët nga kërkesa për t’u pajisur me vizë për qëndrim të shkurtër maksimumi 90 ditë. Kërkohet pajisja me pasaportë biometrike. Si një vend i zonës Schengen, Zvicra është e përkushtuar për të miratuar zhvillimet e më tejshme në kuadër të “Schengen Acquis””, thuhet në komunikatë.

Nga Këshilli Federal sqarojnë se miratimi i këtyre ndryshimeve në kuadër të Schengenit kërkon edhe modifikimin e Urdhëresës për hyrje dhe lëshimin e vizave (VEV).

“Ky ndryshim i Urdhëresës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë sqarojnë se për të punuar në Zvicër vazhdon të jetë e nevojshme pajisja me vizë.

“Shtetasit kosovarë lejohen të punësohen vetëm me kusht që të kenë kualifikime të mira profesionale dhe të mos gjenden punëtorë ekuivalent në tregun zviceran të punës apo në vendet e BE/EFTA. Gjithashtu duhet respektuar paga dhe kushtet e zakonshme të punës”, sqaron shteti zviceran.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.