Zgjidhen sot 3 anëtarët e rinj të KLGJ, Sadushi: Të reagohet në mënyrë koherente ndaj sulmeve dhe kërcënime që u bëhen gjyqtarëve

Këshilli i Lartë Gjyqësor zgjedh këtë të hënë 3 anëtarë të rinj, të cilët do të jenë pjesë e këtij institucioni për 5 vitet e ardhshme. Në fjalën e tij, zv/kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi renditi disa prej vështirësive me të cilat përballet KLGJ. Mes tyre ai përmendi faktin se ka ende gjyqtarë në sistem të cilët nuk kanë asnjë vlerësim etiko-profesional apo se 40 magjistratë të diplomuar këtë vit nuk janë emëruar ende, edhe pse sistemi ka nevojë emergjente për to. Mes të tjerash ai theksoi se “kërkohet të reagohet në mënyrë koherente ndaj sulmeve të padrejta, të shumta e të vazhdueshme deri edhe në kërcënime që u bëhen gjyqtarëve për shkak të funksionit”.

“Ka ende gjyqtarë në sistem, të cilët nuk kanë asnjë vlerësim etiko profesional, megjithëse kanë më shumë se një dekadë në detyrë; 40 magjistratët e diplomuar këtë vit janë ende të pa emëruar, ndërkohë që sistemi ka nevojë emergjente për to; kancelarët e gjykatave janë të pakonfirmuar, për shkak të mosmbylljes së procedurës për vlerësimin profesional pranë Shkollës së Magjistraturës; gjykatat kanë vështirësi në administrimin e buxhetit, për shkak të konceptit se çdo shpenzim duhet të miratohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndërkohë që një ndër kolonat e gjyqësorit të pavarur lidhet me vetadministrimin e buxhetit; trupa gjyqësore ndjen shqetësim për cenimin e standardeve të promovimit dhe ngritjes në detyrë mbi bazë merite, për shkak të mundësisë së një trajtimi të pabarabartë në pikëzim dhe në renditje, referuar diskrecionit të pakufizuar të anëtarit të Këshillit; mungon një platformë komunikimi eficente, në të cilën adresohen në kohë reale shqetësimet e përditshme të trupës gjyqësore dhe që marrin zgjidhje nga Këshilli, pa i kanalizuar në procedura burokratike; kërkohet të reagohet në mënyrë koherente ndaj sulmeve të padrejta, të shumta e të vazhdueshme deri edhe në kërcënime që u bëhen gjyqtarëve për shkak të funksionit, etj, etj”, tha Sadushi.

Për Sadushin, rikthimi i besimit tek sistemi i drejtësisë është dhe mbetet sfida thelbësore.

“Të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm se gjatë mandatit të dytë, një Këshill i Lartë Gjyqësor i riformatuar do të duhet të përballet me pengesa edhe më të shumta për të arritur maksimumin e mundshëm, pasi këto nevoja nuk janë ngushtësisht dhe vetëm të gjyqtarëve, por ato ndikojnë drejtpërdrejtë në shërbimin që u jepet qytetarëve shqiptarë dhe, për rrjedhojë, në besueshmërinë dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor. Rikthimi i besimit tek sistemi i drejtësisë është dhe mbetet sfida thelbësore, jo vetëm e gjyqtarëve, por edhe e anëtarëve të Këshillit, që do të duhet të dëshmojnë nëpërmjet mënyrës së reagimit institucional dhe legjitimitetit të vendimmarrjes së tyre se sistemi i drejtësisë nuk shtrin dorën për lëmoshë tek ekzekutivi dhe legjislativi, por për t’u kërkuar atyre të përmbushin detyrimet kushtetuese e ligjore, në funksion të parimeve dhe vlerave, mbi të cilat vepron një shtet i së drejtës”.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.