“Zgjedhjet amerikane” në BDI si “reper” për demokracinë e brendshme!

July 2, 2023

Editorial i portalit indeks.mk

Sot është ditë e diell, tipike për motin sivjet, diku me diell, diku me shi. Si një ditë me pranverë të vonuar me moti të ndryshueshëm, ajo na vjen edhe me një vërshimë fotosh të votimit! …Po të mos jepeshin lajmet që sqarojnë çfarë zgjedhjesh janë këto, dikush do të kishte kujtuar se në Maqedoni po mbahen edhe një palë zgjedhje!

Por, janë pamje nga vendvotime ku njerëzit e japin votën e tyre për organet partiake të BDI-së, si një formë e re te ne e shprehjes së vullnetit politik brenda një partie, ku vetë anëtarët përcaktohen, e jo dikush t’ua imponojë, se kë duhet të zgjedhin për t’i drejtuar organet partiake.

Kush ka pak njohuri nga përvojat e vendeve tjera, do të kishte thënë se këto janë “zgjedhje amerikane”, që nuk mbahen në Arizonë, Nju-Jork, Kaliforni apo Pensilvani, por në Zajaz, Tetovë, Çair, Strugë, Dibër…Pra, kjo ndodh te ne dhe te një parti e jonë, që akcepton edhe një model modern të demokracisë së mirëfilltë ku përfaqësimi arrihet përmes votës së lirë.

Prandaj ka të drejtë lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, kur sot nga Zajazi tha se “zgjedhjet brendapartiake janë standardi i parë që vendoset në vendin tonë”.

Është pra vërtet një “aplikim” i një modeli të sprovuar tashmë si në SHBA, si në shumë vende të botës, ku anëtarët e regjistruar të një partie shfrytëzojnë të drejtën që në zgjedhje të lira e demokratike të japin votën për ata që mendojnë se duhet të drejtojnë organet partiake. Përparësia e këtij modeli “një njeri, një votë” është e shumëfishtë.

E para, se gara është e hapur dhe e lirë për çdo anëtar që të kandidohet dhe të prezantojë para anëtarësisë konceptin e tij të udhëheqjes dhe për këtë ta kërkojë votën. Gara e lirë dhe konkurrenca sjell te oferta të shëndosha programore për të zgjedhur.

E dyta, që është po ashtu me rëndësi, në këtë model nuk ka imponime “nga lartë” ose nga dikush, sepse secili anëtar i partisë e ka mundësinë përmes votës së tij të fshehtë, që s’mund ta kontrollojë askush, të zgjedhë ata që mendon se meritojnë.

E treta, vërtet kultivohet një standard më i lartë i demokracisë së brendshme dhe konkurrencës, si kulturë demokratike. Tamam siç bëhet në Amerikë në dy partitë më të mëdha, që kanë anëtarësi të regjistruar(me librezë anëtarësie) me të drejtë vote për zgjedhje brendapartiake në të gjitha nivelet.

Për BDI-në këto zgjedhje të realizuara në këtë mënyrë, janë edhe një mundësi për tejkalim të ndasive dhe të krijojë organe pa hatërmbetjet e mundshme për shkak të disa përplasjeve të disa të pakënaqurve. Ndaj dhe kanë peshë fjalët e Ali Ahmetit se gara ka qenë e hapur, ku secili ka pasur mundësi të kandidojë. Kjo do të thotë se edhe pakënaqësitë kanë mundur të artikulohen përmes këtij modeli zgjedhor, që ndoshta individë dhe grupe të caktuara nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi, ndonëse si sqaroi lideri i BDI-së, ”gjithsecili ka mundur të kandidojë, regjistrimet kanë qenë edhe me fletanëtarësie edhe online, s’ka pasur asnjë pengesë, për të ngritur ndonjë dilemë apo gjëra të tilla”.

BDI-ja me këto zgjedhje edhe një herë dëshmoi se është një parti moderne, që ecë me kohën dhe shpesh është disa hapa para subjekteve të tjera, duke ofruar ide e platforma zgjedhore inventive, e deri te gara me standarde të reja për demokracinë e brendshme. Pikërisht akceptimi i këtyre standardeve dhe zbatimi i tyre në kushtet tona, e bën një shembull që duhet të ndiqet./indeks.mk

Previous Story

Pa ndryshimet kushtetuese, hyjmë në grupin e vendeve me çështje të hapura

Next Story

Zgjedhjet në BDI, Neziri: Tregojnë një unifikim të përgjithshëm

Latest from Blog

Go toTop