Tashmë ka disa ditë që procesi i shpërndarjes së librave po zhvillohet në mbarë vendin, ndërkohë që zëvendës ministri i Arsimit dhe Shkencës, Agim Nuhiu në një bisedë për Indeks.mk thekson se ky proces po zhvillohet si duhet.
Tekstet në pjesën më të madhe janë dorëzuar para fillimit të vitit shkollor, pra kanë qenë tekstet e klasës së parë, të dytë, të katërt, të pestë, të shtatë, të tetë dhe të nëntë, thotë më tej ai.
“Janë shtypur dhe dorëzuar të gjithë tekstet shkollore që janë miratuar për përdorim nga Komisioni Kombëtar i Teksteve, në arsimin fillor. Tekstet në pjesën më të madhe janë dorëzuar para fillimit të vitit shkollor, pra kanë qenë tekstet e klasës së parë, të dytë, të katërt, të pestë, të shtatë, të tetë dhe të nëntë. Tekstet për klasën e tretë janë dorëzuar gjatë muajit shtator, kurse tekstet e mbetura për klasën e gjashtë, një pjesë e të cilave aktualisht janë duke u shpërndarë, ndërsa në tërësi të gjitha tekstet do të dorëzohen shumë shpejt”, thekson zëvendës ministri Nuhiu.
Sipas Nuhiut, Vonesa e dorëzimit të teksteve për klasën e gjashtë vjen për faktin se pak më vonë nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit mbërritën në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
“Vonesa e dorëzimit të teksteve për klasën e gjashtë vjen për faktin se pak më vonë nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit mbërritën në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës vetë programet mësimore, pas së cilës filluan menjëherë procedurat për tekstet e reja. Tani pothuajse të gjitha tekstet për klasën e gjashtë janë miratuar, disa janë dorëzuar, disa janë duke u shtypur dhe shpërndarë, disa janë duke u redaktuar grafikisht, pas së cilës do të lëshohen në shtypje dhe dorëzim”, shton më tej Nuhiu.
Në fushën e arsimit të mesëm, ku për herë të parë pas 15 vitesh janë miratuar 150 tekste të reja, veçanërisht për arsimin profesional, ato po shtypen dhe dërgohen në shkolla me faza. Deri më tani fokusi ynë ka qenë arsimi fillor, ndërsa tani do të fokusohemi më shumë në arsimin e mesëm, vlerëson kështu në bisedën e tij për Indeks.mk zëvendës ministri Nuhiu.
Më tej, Nuhiu thotë se ndodh që në një thirrje të publikuar për autorë ose për recensues nuk ka asnjë aplikim të vetëm, dhe për këtë arsye ka vonesa në finalizimin e librave.
Dua t’ju njoftoj se të gjitha aktivitetet që janë në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë filluar dhe zbatohen në kohën e duhur në lidhje me pajisjen me tekste të reja shkollore. Por ka faktorë brenda procedurës për përgatitjen dhe miratimin e teksteve shkollore që janë të pavarur nga ndikimi sistemik. Ndodh që në një thirrje të publikuar për autorë ose për recensues nuk ka asnjë aplikim të vetëm. Ndodh që pas marrjes së një propozimi për tekstin shkollor, një komision recensues të ketë komente që duhen korrigjuar. Ose, Komisioni Kombëtar i Teksteve mund të bëjë komente. Këta janë faktorë mbi të cilët Ministria e Arsimit nuk mund të ndikojë dhe që zgjasin procedurat për tekstet e reja”, shton për fund në bisedën e tij për Indeks.mk, zëvendës ministri i Arsimit dhe Shkencës, Agim Nuhiu.(indeks.mk)