Edhe pse nuk ishte e ftuar në takimin mes dy liderëve të partive politike maqedonase LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pranoi njërin nga kushtet e opozitës maqedonase që ajo të largohet nga Qeveria për t’i hapur rrugë miratimit të ndryshimeve kushtetuese që Maqedonia e Veriut të ecë pa pengesa në rugën e saj drejt BE-së.
BDI vendosi burrërisht dhe me vizion, për BE e jo për pushtet, por si duhet te veprojnë partitë tjera shqiptare? Nëse nuk e ndjekin BDI-në, do të fshihen nga skena politike në zgjedhjet vijuese, sepse do t’i dënojë votuesi shqiptar për arsye të vazalitetit. A duhet te lihen vetë partitë maqedonase në pushtet, të marrin përgjegjësi për ndryshimet kushtetuese, ndersa shqiptarët nga jashte ta përkrahin?
Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Driton Zenku, thotë se Mickovski e zbërthehu shqetësimin e tij se përse nuk e dëshiron BDI-në në qeveri.
“Në Sitel tha që BDI drejton me shtetin dhe LSDM qenka me qira në qeverinë e vet. Këtu lind dilema. VMRO-DPMNE dëshiron parti shqiptare në qeveri pa fuqi vendimarrëse. Për ultimatumin e tij që BDI të mbetet jashtë qeverisë, kjo e fundit veproi si një parti shtetformuese kur tha që është gati të lërë qeverinë me kusht që të miratohen paraprakisht ndryshimet kushtetuese. Deri këtu jemi dakaord. Por një qeveri pa parti shqjptare që ka peshën e vendimarrjes, përfaqësimi i tyre do të ishte anashkalues dhe inferior. Këtë e pretendon VMRO-DPMNE por BDI-ja nuk duhet ta tolerojë”, deklaroi Zenku për Indeks.mk
Sipas tij, partitë e tjera shqiptare nuk duhet të ndikohen nga interesi për pushtet 6 muajsh në një qeveti të zgjeruar pasi kostoja në elektorat do të ishte penalizuese në zgjedhjet e ardhëshme.
“Është detyrë e tyre të japin qëndrime të qarta kundër një qeverie monoetnike LSDM-VMRO. Do të ishte veprim i duhur politik që të kërkohet qeveri e eksprtëve që do të kryente ndryshimet kushtetuese dhe vendin do ta përgatiste për zgjedhjet e ardhshme. Qeveria e ekspertëve të drejtohej nga kryeministër shqiptar nga bota akademike dhe apolitik, sikurse edhe kabineti qeveritar me ekspertë të fushave dhe me përfaqësim adekuat etnik”, nënvizon Zenku.
Ai thekson se politikat e VMRO-DPMNE-së ndaj shqiptarëve dihen dhe janë të qarta. Andaj, shprehet ai, partitë shqiptare nuk duhet të gënjehen nga interesa të politikave ditore.
“Legjitimitet për të përfaqësuar shqiptarët në këtë mandat ka BDI. Ata duhet të jenë unikë dhe njëzëri ndaj zhvillimeve politike. Duhet të marrin guximin dhe t’i tregojnë Mickovskit që ai nuk është faktori që vendos se kë do në qeveri e kë jo. Elektorati jep verdiktin dhe jo selitë e partive politike”, potencoi Zenku. (Indeks.mk)