Të gjitha partitë politike shqiptare në pushtet dhe opozitë duhet ti bashkëngjiten “Frontit për Europë”, kështu vlerëson ish-deputeti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Zudi Xhelili.
Sipas tij, të gjitha forcat pro-europiane duhet ti anashkalojnë ato anti-europiane dhe pro-ruse.
“Sa u përket shqiptarëve në përgjithësi, orientimi pro perëndimor ka qenë pikësynim i tyre. Të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë të vetëdijshme për vullnetin e elektoratit të tyre, pra koncepti tyre ka qenë dhe do të ngele orientimi evropian i vendit. Çdo devijim nga kjo rrugë për çdo parti politike do të ishte fundi i ekzistimit të tyre. Prandaj partitë politike shqiptare pa hamendje duhet të veprojnë si një trup i vetëm kur është në pyetje ‘Fronti për Europë’. Ndërsa VMRO nëse nuk reflekton do të gabojnë rend, momenti dhe rrethanat e veprimit nuk janë në favor të tregtimit me interesat e shtetit, janë momente me qenë apo mos me qenë! S’ka mundësi të tretë, prandaj duhet të gjejnë mënyrë për të kontribuar të paktën njëherë në të mirë të vendit”, deklaroi Xhelili për Indeks.mk
Duke komentuar, kundërshtimet e partisë Levica ndaj ndryshimeve kushtetuese, me këtë edhe rrugëtimit euro-integrues të vendit, si dhe ndaj Korridorit 8, Xhelili thotë se nuk ia vlen të humbet kohë, pasiqë siç shprehet ai, ata e futen në grupin e partive ultra – nacionaliste.(Indeks.mk)