Xhaferi në Ditën e mësuesit nga Forina: Të jesh mësues është mision dhe përgjegjësi, ata janë fuqia e arsimit

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot, me rastin e Ditës së mësuesit, vizitoi Shkollën Fillore “Forina”, në fshatin e tij të lindjes, Forinë, Gostivar.

Kryeministri Xhaferi, në fjalimin e tij para mësimdhënësve dhe nxënësve, ju uroi atyre Ditën e mësuesit, duke theksuar se në këtë ditë u bëhet respekt mësuesve që e ushtrojnë profesionin më fisnik, dhe ky është arsimimi dhe edukimi i brezave të ardhshëm. Dita e sotme, siç theksoi Kryeministri Xhaferi, është përkujtimi i hapjes së mësonjëtores së parë me mësim në gjuhën shqipe në Korçë, me të cilën janë vendosur themelet e arsimit shqip.

Kryeministri Xhaferi, në fjalimin e tij e potencoi rëndësinë e mësimdhënësve në procesin arsimor si dhe përsosjen profesionale të njohurive të nxënësve, që është e rëndësishme për të ardhmen e të rinjve, por edhe për prosperitetin e shoqërisë.

“Kjo është një ditë e veçantë kur kujtojmë ditën e hapjes së mësonjëtores së parë në gjuhën shqipe në historinë tonë. Ne i nderojmë të gjithë ata që janë gjallë dhe janë mes nesh, për kontributin që kanë dhënë. Sot ne e gëzojmë mundësinë në të cilën gjeneratat e reja kanë mundësi të zgjedhin nga disa universitete ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, përkatësisht Universiteti Shtetëror në Tetovë, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti i Evropës Juglindore e cila u themelua mbi një iniciativë private-publike. Të gjitha ato institucione të arsimit sipëror kanë një qëllim të përbashkët dhe ky është zhvillimi i misionit të lartë akademik të gjuhës shqipe. Le të jetë ky shembull dhe nxitje për studentët që i nisin hapat e parë të përvetësimit të dijes, të synojnë që një ditë, njëri prej tyre të zërë vendin tim këtu, por edhe vendin e të gjithëve nga ne“, porositi Kryeministri Xhaferi.

Në fjalimin e tij, Kryeministri Xhaferi potencoi se është veçanërisht i kënaqur me faktin që, ndryshe nga e kaluara, sot nxënësit në këtë shkollë mësojnë në një objekt të ri dhe bashkëkohor.

Share

Go toTop