Xavi Hernandez ka folur sot në konferencë për shtyp para ndeshjes së fundjavës me Real Betisin.
Gjiganti katalunas ka nevojë për fitore për ta ruajtur distancën 11 pikëshe ndaj Real Madridit, 7 xhiro pa përfunduar sezoni.
“Betisi është një skuadër e madhe, mjaft e fortë fizikisht dhe teknikisht e mirë. Do të mundohemi ta mbajmë topin. Në Vallecas kundër Rayo Vallecanos e zhvilluam ndeshjen më të dobët të sezonit, duhet ta bëjmë një risetim”, deklaroi fillimisht trajneri i Barcelonës, përcjell “Gazeta Express”.
Ai më pas foli edhe për diferencën me Real Madridin, Leo Messin, Ousmane Dembelen, Ansu Fatin, Andreas Christensenin etj,.
“Nëse shikojmë renditjen, jam i lumtur, nuk ka vend për shqetësime. Jemi këtu për ta fituar kampionatin, jam duke u zbavitur”, shtoi ai.
“Më e lehtë ta shohësh Messin në Barcelonë apo koncertin e Bruce Springsteen? Nuk e kuptoj krahasimin apo ngjashmërinë. Nuk e dimë nëse Messi do të vijë apo jo, është herët dhe nuk po mendoj për ‘mercato’. Dua të shkoj në koncert, por nuk kam biletë”, shpjegon ai.
“Sa i përket Dembeles, ai kishte problem në një problem delikat të trupit dhe ka mbetur për një kohë të gjatë jashtë fushës, më gjatë se që e prisnim dhe që do të donim ne. Tash është i lumtur, rikthimi i tij dhe i Christensenit janë të rëndësishëm. Christensen është një lojtar që e kam kërkuar personalisht dhe na ka munguar shumë. Është një garanci, e vlerësojmë shumë”, shprehet Xavi, përcjell “Gazeta Express”.
“Ansu Fati? Ka një konkurrencë të fortë. Ferran, Raphinha, janë një garanci. Ka luajtur dhe ndonjëherë ishte i rëndësishëm, por konkurrenca është e fuqishme”, përfundoi legjenda katalunase. /Gazeta Express/