Vuçiq e pranon se ishte në dasmën e djalit të Sheshelit ku u kënduan këngë çetnike: Nuk piva alkool!

I ftuar në emisionin “Cirilica” në një televizion serb, presidenti Aleksandar Vuçiq ka folur edhe për shkuarjen në dasmën e djalit të Vojsllav Sheshelit.

Ai ka thënë se para pesë muajsh ka marrë një ftesë nga familja Shesheli për dasmë në kishë dhe pagëzimin e fëmijëve, në të cilën nuk ka mundur të shkojë për shkak të obligimeve, por ka shkuar në një drekë festive.

“Por ata bënë një drekë festive. Familja Shesheli i organizoi të gjitha bukur dhe denjësisht, ishin rreth 200 veta. Ata i vendosën të gjithë kumbarët e vjetër në një tavolinë në qoshe, por jo për mosrespektim, por sepse sigurimi im tha se ishte më e volitshme për ta. Në tavolinë ishin kumbarët e vjetër Leshiq dhe Vujiq, kumbari i ri Millovan Bojiq, unë me babanë dhe djalin e madh.

Ndejta një orë e gjysmë si mysafir, urova Aleksandrin (djalin e Sheshelit) dhe gjithë familjen. E dërgova një dhuratë e u vlerësova shumë nga nikoqiri. Piva dy coca-cola zero…ndoshta edhe tri. Nuk kam pirë alkool, kur pi verë, them se kam pirë verë dhe ju nuk më keni parë kurrë të dehur”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se gjatë gjithë ditës ka pirë lëng dhe ujë.

“Edhe ata si nikoqirë nuk ndiheshin rehat. As nuk kam ngrënë asgjë, kam pasur obligime të tjera”, tha ai.

Vuçiq tha se në dasmën e Aleksandar Sheshel-it “kishin muzikë, si në çdo festë”.

Duke folur për këngën kontestuese për dukën çetnik Pavlo Gjurishiq, Vuçiq tha se “Vojislav i porositi ato këngë” dhe se “as gjysmën e atyre këngëve nuk i dëgjoj”.

Vuçiq tha se nuk pret që të tjerët ti tregojnë se në cilat festa duhet ai si president të marrë pjesë e në cilat jo.

“Unë kam një politikë të ndryshme nga Vojislav Shesheli dhe kjo është arsyeja pse ne nuk jemi në të njëjtën parti. Kjo nuk do të thotë se nuk i uroj atij dhe familjes së tij gjithë të mirat”, ka përfunduar Vuçiq.

Share

Go toTop