Vllasi: Fundi i gjykimit do të jetë sikur i Haradinajt dhe Limajt, procesi nga tri deri gjashtë vjet

Pas dy vjet e gjysmë në paraburgim, më 3 prill ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Për tri ditë radhazi, prokuroria dhe mbrojtja kanë dhënë deklaratat hyrëse.

Por, si e sheh fillimin e këtij procesi gjyqësor, avokati i njohur, Azem Vllasi?

Në një bisedë për IndeksOnline, Vllasi ka thënë se pretendimi nga aktakuza se këta të akuzuar kanë qenë përgjegjës sipas vijës komanduese është e paqëndrueshme, ngase, UÇK, sipas tij, nuk ishte ushtri e shtetit me hierarki komanduese ku dihen kompetencat e secilit nivel komandues, prej komandës supreme e deri në nivel të njësive në teren.

“Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë ngase ishte luftë mbrojtëse dhe çlirimtare. UÇK ishte ushtri vullnetare, policentrike dhe vepronte në rajone të ndryshme. Shtabi i Përgjithshëm ishte si një Trup koordinues i shtabeve rajonale, por jo me kompetenca komanduese sikur ushtria e shtetit. Cilësimi për “ndërmarrje të bashkuar kriminale” është i kontestueshëm. Duhet të respektohet parimi juridik sipas cilit dikush mund të akuzohet dhe gjykohet sipas ligjit në fuqi në kohën kur pretendohet se vepra është kryer. Në ligjin e atëhershëm penal ky cilësim nuk ka ekzistuar”, ka thënë Vllasi.

Sa i përket rasteve të pretenduara se janë kryer pas qershorit 1999 e deri në fund të vitit 2000 kur nuk ka pas konflikt të armatosur, Vllasi ka thënë se është dashtë të merren gjykatat e rregullta dhe jo Dhoma e Specializuar.

“Vlerësimi im është se fundi i këtij gjykimi do të jetë sikur ai i Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt. Ama mund të zgjas shumë nëse trupi gjykues nuk e obligon Prokurorinë që administrimin e provave ta zbres në një masë të arsyeshme dhe racionale. Trupi gjykues nuk është i obligueshëm që ta administroi secilën provë të propozuar nga pala akuzuese. Sigurisht që do të ketë propozime për prova dhe dëshmitar të palës mbrojtëse. Kohëzgjatja e gjykimit do të varet nga trupi gjykues. Mund të kryhet për tri vjet, por mund të zgjatë edhe gjashtë vjet. Kjo në shkallë të parë e pastaj vjen faza e ankesave dhe vendimi final”, ka theksuar Vllasi.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep, ka thënë se 11 dëshmitarët e parë janë thirrur për dhënien e dëshmisë.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.