Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim deputeten e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, njëherësh kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar. Kearns po qëndron në një vizitë në Kosovë me ftesë të Presidentes Osmani.
Takimi me deputeten Kearns u përqendrua në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.
Presidentja Osmani e ka informuar deputeten britanike me sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe ka theksuar rëndësinë e përpjekjeve të unifikuara ndërkombëtare për t’iu kundërvënë akteve të tilla terroriste dhe të agresionit në funksion jo vetëm të sigurisë së qytetarëve të Kosovës, por edhe stabilitetit rajonal e më gjerë.
Më tej, Presidentja Osmani tha se deputetja Kearns ka treguar vazhdimisht përkushtimin e saj për ta mbështetur Kosovën në afirmimin e të vërtetës, ndaj e ka falënderuar në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Deputetja Alicia Kearns është një avokuese e shquar për Kosovën, ndaj ne presim që edhe më tej, angazhimi i saj të jetë në funksion të prezantimit të gjendjes reale këtu, duke u mbështetur në argumente e fakte, ashtu siç bën vazhdimisht ajo”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ndërkaq deputetja Kearns, falënderoi Presidenten Osmani për ftesën dhe theksoi përkushtimin e saj personal për ta vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të punuar ngushtë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.