Vendimi i Qeverisë për pushimin pranveror për nxënësit, mirëpritet nga mësimdhënësit dhe prindërit

Edhe zyrtarisht, 1 shtatori mbetet data e fillimit të vitit të ri shkollor 2023-2024 por me disa ndryshime të vogla. Siç vendosi Qeveria, risi është pushimi pranveror nga 29 prill deri më 6 maj dhe përfundimi i vitit mësimor më 17 qershor 2024. Sipas ministrit Jeton Shaqiri, këto ndryshime u bën me qëllim që të rritet produktiviteti te nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Pushimi në muajt e pranverës, nga një diskutim i mësimdhënësve është si një ndihmesë edhe nga ana pedagogjike e nxënësve por edhe e mësimdhënësve”, u shpreh Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

Disa nga mësimdhënësit e arsimit fillor kanë pranuar pozitivisht këto ndryshime. Siç thonë ata, pikërisht kulmi i lodhjes së nxënësve vërehet në muajin prill kur edhe angazhimet e tyre janë më të mëdha.

“Lodhësinë e shfaqin nga muaji prill kur temperaturat ngritën dhe ata janë më tepër të ngarkuar me detyra kontrolluese ose ne siç i quajmë testime dhe ja vlen për një pushim të shkurtër. Me siguri do të ishte mirë dhe do të merrnin një energji që të vazhdojnë tutje me forca të reja”, deklaroi Fadil Ebipi, mësimdhënës.

Gjysmëvjetori i parë i shkollës do të përmbyllet më 29 dhjetor ndërkohë gjysmëvjetori i dytë do të nis më 22 janar 2024. Kohë më parë, Ministria e Arsimit kishte përgatitur pesë propozime për fillimin e vitit shkollor, dy prej të cilave përmbanin edhe pushimin pranveror. Sipas MASH, është e patjetërsueshme realizimi i procesit mësimor në 180 ditë pune, siç parashikon kalendari mësimor për shkollat fillore dhe të mesme. Në këtë rast përjashtohen maturantët të cilët sipas kalendarit mësimor duhet të realizojnë 166 ditë proces mësimor. Përveç vlerësimeve pozitive, vendimi i ri për vitin shkollor është përballur edhe me kritika nga persona të caktuar të cilët vlerësojnë se për zgjatjen e përfundimit të shkollës dhe pushimi pranveror nuk janë konsultuar mësimdhënësit dhe prindërit. /Alsat/

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.