Vdekja e Ahtisaarit, futbollisti nga Kosova në gazetën finlandeze: Falë tij e kemi Kosovën tonë, kishte ndikim të madh në politikë

October 16, 2023

Mehmet Hetemajt i dridhet zëri dhe i ndalen mendimet për një moment kur flet për Martti Ahtisaarin.

Ish-futbollisti kosovar e ka pritur me dhimbje vdekjen e ish-presidentit të Finlandës dhe ndërmjetësuesit të Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

“Martii Ahtisaari kishte ndikim kyç në faktin që kosovarët e kanë vendin e tyre të pavarur”, kujton Hetemaj, i rritur në Finlandë me familjen e tij kosovare.

“Ai na dha një tokë që ta quajmë tonën”, shton ish-përfaqësuesi i Kosovës në futboll.

Pra, vdekja e negociatorit të paqes ishte e dhimbshme jo vetëm për bashkëkombësit e tij finlandezë, por edhe për kosovarët pasi ai e luajti një rol të rëndësishëm në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Hetemaj, i cili ishte i lindur në Skenderaj, por që pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Finlandë, ka fjalë të mira për Ahtisaarin, i cili e kishte sëmundjen e alzheimerit, ndërsa ndërroi jetë sot në moshën 86 vjeçare.

“Ky është një lajm i dhimbshëm për Finlandën dhe për qytetarët e Finlandës. Dhe, është po ashtu një lajm i keq edhe për kosovarët, për çdo qytetar të vendit tonë. Martti Ahtisaari është njëri prej faktorëve më të rëndësishëm në faktin që tash e kemi një vend se ku të shkojmë. Kjo është vërtetë e dhimbshme. Në këtë rast po flas në emër të çdo kosovari”, thotë tutje ish-futbollisti kosovar për mediumin finlandez “hs.fi”, përcjell “Gazeta Express”.

Hetemaj kishte lëvizur me familje drejt Finlandës në fillim-vitet e 90-ta.

Ai është vëllai i futbollistit tjetër të njohur, Përparim Hetemaj, ndërsa motra e tij, Fatbardhe është marrë me politikë dhe në vitin 2012 ishte bërë pjesë e Këshillit të Qytetit të Helsinkit.

Hetemaj i përcolli nga distanca disa luftëra që ndodhën në Ballkan në vitet e 90-ta.

Prej tyre, edhe atë të atdheut të tij, që ishte në hall me regjimin serb.

“Unë e kam përjetuar luftën, e kam provuar atë në të gjitha mënyrat. Unë, motra e vëllai jemi rritur në mes të luftës, edhe pse ishim duke jetuar diku tjetër. Dhimbja që buronte nga prindërit e mi më pas u transformua edhe tek ne. Çdo ditë ishte e qetë në shtëpi kur ishte koha e lajmeve. Çdo ditë kishim frikë se miqtë, të afërmit apo dikush tjetër ishte afër vdekjes”, i kujton Hetemaj kohërat e vështira të luftës në Kosovë.

Ai e kujton më pas edhe kohën e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

“Si mund ta përshkruajë një njeri që ta ketë një vend që mund ta quajë të vetin? Krejt historia, vitet e rinisë dhe kohërat e pasigurisë, ajo ndjenjë frike, dalin në sipërfaqe. Tash që e kemi një vend të lirë dhe të pavarur, mund të shkoj atje lirshëm, kur të dua. Mund ta marr familjen time atje dhe t’i mësoj fëmijët e mi me kulturën time. Ne mund të flasim lirshëm dhe të tregojmë që jemi shqiptarë të Kosovës. Kjo do të thotë shumë”, shton ish-futbollisti kosovar.

Kur i bien në mendje Kosova dhe Ahtisaari, Hetemaj e pranon se bëhet e vështirë për të folur dhe për t’i gjetur fjalës.

Ai e thekson faktin se sa e rëndësishme është që të vlerësohet pavarësia e vendit të tij.

Kur nuk e ke lirinë dhe kur në fund e merr atë, e kupton domethënien dhe kuptimin e saj në një mënyrë tjetër.

Sidomos, kur rruga drejt pavarësisë është e ngjyrosur dhe e lyer me gjak dhe me jetë njerëzore.

“Shpresoj që koha do ta bëjë punën e saj edhe në Kosovë dhe ndjenjat më të rënda të zbuten, sepse urrejtja nuk ndihmon. Megjithatë, unë duhet të jem i sinqertë nga ana ime. Nuk mund t’i harroj mizoritë e serbëve dhe atë që e bënë ata në Kosovë. Jam totalisht i sinqertë për këtë”, shton tutje Hetemaj.

“Në të njëjtën kohë, ju duhet t’i kujtoni njerëzit dhe t’i ndani gjërat me politikën. Jo çdo serb është person i keq, por në anën tjetër, është mjaft e vështirë për mua të bëhem shok me një serb. Është diçka që e ndiej brenda. Nuk mund t’i harrosh e as t’i falësh ato mizori”, nënvizoi Hetemaj.

Ai shpreson që gjeneratat e ardhshme të jenë në gjendje t’i lënë anash ndjenjat dhe mllefin.

Sidoqoftë, për gjeneratat e vjetra, ngjarjet në Ballkan janë shumë afër dhe të freskëta, përcjell “Gazeta Express”.

Kosova ndër vite e gjeti rrugën edhe drejt pavarësimit të sportit.

Hetemaj e veshi shkurt fanellën e Kombëtares së këtij vendi në vitin 2014.

Më pas, ai e zgjodhi përsëri Finlandën, me të cilën kishte luajtur për U-21, për të luajtur dhe për ta nderuar e falënderuar shtetin ku u rrit deri në vitin 2017. /Gazeta Express/

Previous Story

Gazetarja sportive italiane i çmend fansat me fotot e saj

Next Story

Rexhepi: Përfshirja e romëve në të gjitha segmentet e jetës shoqërore është një nga prioritetet për të cilat angazhohet Qeveria

Latest from Blog

Go toTop