Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në mesditë duhet të vazhdojë seancën e 115-të, në kuadër të së cilës në mesin e pikave është edhe pakoja e ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D.
Deputetët dje pasdite në seancën plenare e përfunduan debatin për propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës, i cili është pjesë e pakos së ligjeve për ndërtimin e korridoreve, ndërsa votimi do të caktohet shtesë.
Deputetët e opozitës gjatë debatit ishin të mendimit se këto ndryshime ligjore janë kundër sundimi të ligjit, sepse, siç thonë ata, ligji i robëron punëtorët në vend që t’i çlirojë. Sipas tyre, miratimi i ndryshimeve ligjore pas një procedure të shkurtuar nën “vellon” e flamurit evropian është dhunë dhe krim, që dëmton tërësisht procesin integrues të vendit në BE.
Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës thanë se ndryshimet në ligjet për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d janë në përputhje me Kushtetutën dhe në drejtim të lehtësimit të punës në terren.
“Ndryshimet bëhen për të përfunduar në mënyrë më efikase, efektive dhe më të lirë projektet me interes strategjik. Dhe kjo nuk është vetëm për korridoret aktuale, por edhe për të gjithë projektet e ardhshme strategjike kombëtare të infrastrukturës”, theksoi Zeqiri.
Përfaqësuesi special i Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Saracin, ka zhvilluar dje në Kuvend takime me përfaqësues të disa partive politike. Ai pardje pati takime me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski dhe me zëvendëskryeministrin Artan Grubi, në të cilat ndër të tjera u diskutua procesi i integrimeve evropiane të vendit dhe zhvillimet aktuale politike në vend.