Vazhdojnë sulmet ajrore izraelite në Gaza, vriten 32 palestinezë

October 9, 2023

Të paktën 32 palestinezë u vranë në orët e hershme të ditës së somte në sulmet e reja ajrore izraelite në Rripin e Gazës, sipas burimeve mjekësore lokale, raporton Anadolu.

Avionët luftarakë izraelitë goditën një shtëpi në qytetin Rafah në jug të qytetit të Gazës, duke lënë të vdekur 19 palestinezë, thanë burimet mjekësore.

Pesë palestinezë u vranë në një sulm tjetër që goditi një shtëpi në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, shtuan ata.

Katër persona humbën jetën në një tjetër sulm ajror në një shtëpi në lagjen al-Zaatar në veri të Rripit të Gazës. Gjithashtu, forcat izraelite goditën një shtëpi në Deir al-Balah në Gazën qendrore, ku mbetën të vrarë tre persona.

Një vajzë u vra gjithashtu dhe disa njerëz u plagosën në sulmin ndaj një xhamie në kampin e refugjatëve al-Shati në perëndim të qytetit të Gazës.

Avionët luftarakë izraelitë organizuan gjithashtu disa sulme ajrore në Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës, tha në një deklaratë Ministria e Brendshme e drejtuar nga grupi palestinez Hamas.

Ushtria izraelite tha se avionët e saj vazhduan të godasin Rripin e Gazës për të “shkatërruar aftësitë” e Hamasit.

Në deklaratën e ushtrisë thuhet se u shkatërruan disa baza komanduese në sulme, duke përfshirë “asete operacionale në përdorim të Hamasit”, të vendosura në një xhami në Jabaliya.

Grupet palestineze në Gaza, ndërkohë, hodhën breshëri raketash në jug të Izraelit.

Hamasi tha se hodhi rreth 100 raketa në drejtim të qytetit bregdetar Ashkelon. Një person u plagos kur një raketë goditi drejtpërdrejt një ndërtesë apartamentesh në qytet, sipas shërbimit emergjent Magen David Adom.

Grupi Xhihadi Islam tha gjithashtu se hodhi disa raketa drejt Tel Avivit.

Sot herët, trupat izraelite të vendosura përgjatë kufirit libanez qëlluan mbi një njësi të saj, duke plagosur katër ushtarë. Incidenti ndodhi në një pikë kontrolli të ushtrisë në një vendbanim izraelit pranë zonës Jalel Gharbi.

Të shtunën, Hamasi filloi sulmin e tij më të madh ndaj Izraelit në dekada, duke lëshuar mijëra raketa dhe duke nisur luftëtarë që depërtuan në qytetet izraelite pranë Rripit të Gazës. Grupi tha se sulmi i tij ishte në përgjigje të shkeljeve izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe rritjes së dhunës së kolonëve.

Të paktën 700 izraelitë, përfshirë 73 ushtarë, janë vrarë dhe mbi 2.300 të tjerë janë plagosur në sulm, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një seri sulmesh ajrore në Rripin e Gazës, duke vrarë më shumë se 430 palestinezë dhe duke plagosur të paktën 2.300 të tjerë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se do të përdorë gjithë forcën e Izraelit për të shkatërruar Hamasin dhe “të hakmerret për këtë ditë të zezë”.

Previous Story

Arrestohet shtetasja shqiptare! E bëri për spital policin kosovar pasi e gjobiti

Next Story

Këngëtari i njohur kosovar kritikon Feron për bindjet e menjëhershme fetare…

Latest from Blog

Go toTop