Vailja, “medicinarja” që e ngjalli Hyrinë në skenë!

Ishte një befasi e këndshme për artdashësit shkupjanë shfaqja “Koka e gjarprit” (autor: Sabri  Dauti)që e dha grupi teatror amator,”Bekim Fehmiu”, premiera e së cilës u dha më 5 qershor në Qendrën Kulturore Rinore në Shkup. Një nga aktoret që angazhoi regjisori Mejdi Alidemi, është edhe Vaile Nebi, së cilës i ra “shorti” roli i Hyrisë, i cili është kompleks për nga karakteri dhe konteksti dramatik.

Por, nxënësja e dalluar nga Haraçina, që mëson në Shkollën së Mesme të Qytetit të Shkupit “Marija Kiri Skllodovska”, i hyri pa shumë frikë e komplekse, dhe ia doli me sukses. Në këtë blic-bisedë, ajo ndan për portalin tonë përshtypjet e saj disa ditë pasi ajo preku skenën.

-Roli i Hyrisë te shfaqja “Koka e gjarprit” është një rol interesant që ti e luajte bukur. Si erdhi deri te angazhimi yt në këtë shfaqje?

-Kolegia ime Adisa Ibraimi, tani më ish mësuesja ime e Gj. Shqipe duke i parë përpjekjet e mia aktoriale nëpër shfaqjet shkollore, duke vërejtur dëshirën dhe prirjen, një ditë  erdhi e ma sugjeroi të merrja pjesë në grupin “Bekim Femihu”, ku pata fatin që të me jepej roli kryesor, ai i Hyrisë.

-A e kishe vështirë të transformohesh, ose më saktë, të hysh në lëkurën e karakterit të një vajze të re misterioze, e cila gjithë kohën e mbulon fytyrën?

-Në fillim ishte paksa e vështirë, por entuziazmi dhe dëshira ime për të dalë në shfaqje sa më mirë, më ndihmoi të transformohesha nga Vaile në Hyri. Ky rol më dha eksperiencë shumë të bukur në skenë, ende më duket si ëndërr që pata mundësi ta luaj.

-A je e kënaqur me mënyrën se si e ke realizuar këtë rol, sa të ka ndihmuar regjisori?

-Mund të jem subjektive, por vërtet jam e kënaqur me lojën time, pasi nuk më mundoi as stresi e as emocionet që të dal para publikut në sallën përplot. Përveç kësaj edhe puna e palodhshme e regjisorit që besoi në mua bëri që të dukem tamam një aktore e vërtetë, edhe pse pa përvojë të mirëfilltë skenike.

-Ti ke zgjedhur një profesion që nuk ka lidhje me aktrimin, a do të vazhdosh në të ardhmen rrugës së atij profesioni e me aktrim të merresh në në baza amatore, apo ke ambicie për t’u marrë në mënyrë profesionale?

-Sa i përket të ardhmes, nuk besoj se profesionin që kam zgjedhur, do ta zëvendësoj me aktrimin profesionalisht, por mendoj se nuk do t’i mungoj skenës teatrore në ndonjë angazhim të ardhshëm në ndonjë shfaqje amatore.

 

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.