Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në rrjetin social Facebook ka shpërndarë disa fotografi nga ngjarja e sotme e vendosjes së gurthemelit për fillimin e punimeve për Korridorin 8.
Grubi në postimin e tij krahas fotografive shkruan se tanimë u bë realitet ëndrra e kahmotshme, u tejkaluan pengesat dhe skepticizmi dhe erdhi momenti i shumë pritur i këtij projekti kapital.
Grubi ka falënderuar të gjithë mbështetësit e këtij projekti jetik për vendin teksa ka uruar dhe punë të mbarë për kompaninë realizuese.
Postimi i plotë:
Dita për të cilën ëndërruam dhe punuam më në fund erdhi! Vendosëm sot gurthemelin e projektit më të madh infrastrukturor në historinë e vendit!
Kur e nisëm këtë mision me të gjithë bashkëpunëtorët ishim plotësisht të vetëdijshëm për pengesat, për skepticizmin që mbizotëronte, kaluam seanca të gjata në komitetin drejtues dhe në Qeveri, besuam dhe me punë plotësisht transparente dhe sipas të gjitha procedurave ligjore ia arritëm të fillojmë sot procesin e ndërtimit të Korridorit 8, horizontin e ri të bashkimit dhe komunikimit më efikas ndërfqinjësor drejt sfidave të përbashkëta të përparimit.
Uroj mbarësi në procesin e ndërtimit dhe shpreh faleminderim ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve për angazhimin e sinqertë, ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen dhe në veçanti ndaj Ali Ahmetit që na e dha ëndrrën, të cilës ne i jemi përveshur punës që ta realizojmë!