Thethi ka qenë fundi i një aventure turistike të një shtetasje gjermane, në përpjekje për tu ngjitur në mal. Sipas policisë, mesditën e të enjtes, salla operative e Komisariatit të Policisë Shkodër ka marrë njoftim nëpërmjet një telefonate se shtetasja gjermane R. P., 31 vjeçe, duke u ngjitur në mal, bashkë me një shtetas tjetër gjerman, në vendin e quajtur “Shpella e Harapit”, Shalë, Shkodër, kishte rrëshkitur dhe kishte rënë në greminë.
“Si pasojë e dëmtimeve, kjo shtetase ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë janë nisur në vendin e ngjarjes, bashkë me shërbime të specializuara, për të nxjerrë trupin e pajetë të kësaj shtetaseje, nga terreni i vështirë malor ku ka rënë.”, njofton policia.
Çfarë është “Shpella e Harapit”?
Në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës. Ajo përfaqëson një shpellë karakteristike të formuar në shkëmbinj gëlqerorë të Alpeve Perëndimore Shqiptare.
Është pikërisht bukuria e “Shpellës së Harapit“, ajo që nxit shpesh kuriozitetin e alpinistëve për ta eksploruar. Por për turisten gjermane R. P., ky kurizitet ka qenë fatal.