Ka një barcoletë, me tre personazhe, ku më karakteristiku është i tretit. Dhe sigurisht, ku ekziston vetëdija kritike, popujt e ndryshëm mund t’ia japin identitetin atij personazhi. Po e tregojmë një version për lexuesit tanë.
Kishin shkuar Anglezi, Gjermani dhe Ballkanasi në Paris, dhe e shikojnë mrekullinë arkitektonike, Kullën e Ajfelit. Që të tretë, aty për aty, nisin e bëjnë llogaritë e tyre.
I pari, Anglezi, nis e bën llogarinë se sa mund të ketë kushtuar ndërtimi dikur, e sa tash.
I dyti, Gjermani, kishte bërë llogarinë sa tonelata hekur janë dashur për ta ngritur në qiell këtë mrekulli.
Që të dytë këmbejnë informacionet e tyre.
Edhe i treti, Ballkanasi, bën llogarinë e vet, por tek “matematika” e tij u ishte dukur e çuditshme, dy të tjerët e kishin pyetur: Hë, çfarë llogarie bëre ti?
Ballkanasi përgjigjet: Unë llogarita sa tonelata eksploziv duhet për ta shkatërruar…
Dy të tjerët kishin mbetur pa fjalë!
A ka qenë ky Ballkanasi i barcoletës nga Maqedonia, nuk e dimë, mund të ketë qenë. Ama që më së shumti do t’i shkonte të ishte një aktivist “i devotshëm” i Së Majtës, sepse sipas sjelljes së tyre, ky personazhi i barcoletës mund të jetë çilimi kundrejt deputetëve të kësaj partie!
Gjithë vendi është i fascinuar nga fakti që ringjallet Korridori 8, i lënë me vite në harresë, vetëm e E Majta dhe VMRO-ja ka kohë kërkojnë qime në vezë që ta bllokojnë me lloj-lloj pretekstesh. Korridori 8, bashkë me të edhe Korridori 10D, një plotësim funksionalizimi i insfrastrukturës rrugore, Maqedoninë e lidhin me vendet e Evropës dhe me pjesën tjetër të botës, në lindjes, që efektin e fundit e kanë zhvillimin e bizneseve, tregtisë dhe ekonomisë së gjithë vendit.
Një destruktivitet i paparë. Këtu kësaj radhe E Majta e Dimitar Apasievit tejkalon çdo kufi. Përderisa VMRO-ja ka propozuar dhjetëra amendamente ndaj propozim-ligjeve që rregullojnë kushtet juridike të marrëveshjes me konzorciumin Bachetl@Enka, deputetët e Apasievit, pa fije turpi, duke bërë humor të zi me interesat nacionale, kanë propozuar hiq më pak se 6664 amendamente! Krejt në emër të një preteksti, për të penguar kriminalitetin e supozuar prej tyre.
Në këtë mënyrë, nëse E Majta do të arrinte të pengonte sjelljen e ligjeve, do të jetë shkaktarja kryesore për humbjet e mëdha të mjeteve buxhetore, pasi siç ka cekur edhe udhëheqësi i këtij projekti, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, që në start buxhetin e vendit do ta dëmtojnë për më shumë se 150 milionë euro dhe zgjatje të afatit të realizimit.
Motivet e Apasievit për gjoja kriminalitetin mund të jenë vetëm fasadë, sepse Korridorit 8 i jepet edhe konotacion etnik, që do të thotë, të pengohet një projekt që nga disa diletantë u quajt madje “realizimi i Iliridës”. Ndryshe nuk mund të kuptohen motivet, sepse për të gjitha ato çështje të supozuara, ka prokurori, gjyqe, kuvend etj., ku mund të trajtohen dyshimet gjatë gjithë kohës së realizimit, ndërkaq për nga interesi shoqëror, është totalisht i pakontestueshëm.
Për fat të keq, një pjesë e qytetarëve, ende joshen nga ide ekstremiste të majta e nacionaliste dhe pikërisht fenomeni Apasiev dhe E Majta e dëshmon këtë.
Për majtistët ekstremistë të Maqedonisë, nuk ka dilemë. Më mirë të shkatërrosh, se të ndërtosh. Zaten shumë lëvizje me ide të bukura komuniste, kanë përfunduar me shkatërrime e fatkeqësi të mëdha njerëzore. Edhe kjo ideja e tyre me mijëra amendamente ta pengojnë ndërtimin e korridoreve, i ngjajnë llogarisë së atij Ballkanasi për ta shkatërruar Kullën e Ajfelit, që mbi një shekull i sjell Francës përfitime të mëdha! Është e paimagjinueshme se sa mund të jenë fitimet nga korridoret dhe ta pengosh ndërtimin e tyre, është e njëjta mendësi destruktive si e barcoletës/indeks.mk