Duhet të jesh VMRO që t’i kuptosh disa logjika! Sepse kur je VMRO, bota duket ashtu çfarë dëshiron ta shohësh ose çfarë ti dëshiron t’ia tregosh publikut! Sikur njerëzit të mos kenë sy e veshë për ta perceptuar vetë!
Kur është në pyetje VMO-DPMNE dhe lideri i saj i humbur në kohë e hapësirë, Hristijan Mickovski, çdo ditë të re vjen duke e tejkaluar vetveten: në origjinalitetin e destruksionit.
Kjo që nuk deshi vetë të kyçet në grupin punues, është një vendim i tyre. Por kjo që tash po merret me ata që janë kyçur, doemos ka lidhje me hipokrizinë politike që me sukses e “kultivon” kjo parti. Kur është vetë diku, gjithçka është në rregull, kur ata nuk janë, asgjë dhe askush nuk bën.
VMRO-ja doli sot me një grusht argumentesh për të mohuar kompetencën e anëtarëve të Grupit Punës për ndryshimet kushtetuese të propozuar nga partitë dhe institucionet tjera. Në shikim të parë duket sikur kanë argumente se edhe kur janë të fushës së drejtësisë, nuk janë të gjithë të të drejtës kushtetuese.
Po ku shkruan se duhet patjetër të jenë kaq të “specifikuar” anëtarët e grupit punues? Harrohet në fakt se cila është pesha juridike e ekspertizës: grupi punues duhet të hartojë një amendament të kushtetutës, me disa fjali, që do të plotësojë preambulën ose ndonjë nen ekzistues.
Pra, një redakturë më tepër të formulimeve ekzistuese. E vërteta është se në laramaninë e profileve ke ish-anëtarë të Gjykatës Kushtetuese por dhe profesor të të drejtës kushtetuese, kështuqë ta shpallësh komisionin inkompetent, mund ta bëjë dikush vetëm me argumentime keqdashëse politike.
Dhe mos të harrojmë, ai grup punues nuk i voton ndryshimet kushtetuese, por është Kuvendi që e mban përgjegjësinë për këtë.Prej VMRO-së nuk duhet të habisë më asgjë. Kësaj radhe u kapën për çështjen e kompetencës, e nesër kushedi me çka, për të qenë edhe më origjinalë.
Një parti me përgjegjësi do të vepronte ndryshe, nëse do të kishte qëllim “cilësinë” e ndryshimeve kushtetuese. Do të dërgonte në grupin e punës ekspertin më kompetent juridik, që t’u tregojë vendin “jokompetentëve”.Por jo, VMRO-ja ka zgjedhur të rrijë nën hije dhe të bëjë sehir dhe të tallet me interesat e shtetit!/indeks.mk