Taravari: VMRO-ja se do as Aleancën në Qeveri

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari duket se po udhëhiqet nga formula “hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Kërkesën sipas tij të VMRO-DPMNE-së për Qeveri pa shqiptarë e vlerëson si pak të rëndësishme. Thotë se për të është i rëndësishëm procesi integrues, por në të njëjtën kohë thotë se partia e tij do të adaptohet varësisht rrethanave.

“Sa i përket kushtit të VMRO-DPMNE-së për daljen e partive shqiptare nga Qeveria, dua të theksoj se neve na intereson përmbyllja e procesit evropian dhe perspektiva e qytetarëve, e jo llogaritë elektorale. Aleanca për Shqiptarët vendosi të hyjë në Qeveri për hir të procesit, por do të adaptohet varësisht nga rrethanat e reja, qoftë në Qeveri apo jashtë saj”, u shpreh Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.

Mbase i vetëdijshëm për deklaratën, Taravarit i kujtohet se një Qeveri pa shqiptarët është fakt shqetësues.

“Në Maqedoni asnjëherë nuk ka pasur Qeveri pa shqiptarët dhe nuk guxon përsëri të ketë Qeveri pa shqiptarët. Ky është shqetësim jo i Arben Taravarit, jo i një shqiptari por edhe i një maqedonasi duhet të jetë”, tha Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.

Mes viktimizimit dhe solidarizimit me BDI-në, Taravari thotë se edhe partia e tij nuk është e dëshiruar nga VMRO-DPMNE-ja. Dhe këtë thotë se e ka me të dëgjuar.

“Publikisht tani për tani nuk ka pas se dikush e ka kërkuar. Por dëgjojmë nga kuluare të ndryshme se edhe ASH-ja i pengon VMRO-DPMNE-së. Nuk them me siguri të madhe se është kështu”, theksoi Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.

Por VMRO-DPMNE-ja i kujtoi Taravarit një gjë.

“Taravari u zgjodh dy herë kryetar i Gostivarit falë mbështetjes së VMRO-DPMNE-së. Ai tani duhet të tregon se kryetar i cilës parti është: Aleancës së shkrirë në BDI, apo Aleancës së mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja në Gostivar”, njoftojnë nga VMRO-DPMNE.

Duke folur për abrogimin e referencës 20 për qind nga Kushtetuta, Taravari edhe pse tha se procesi integrues nga subjekti i tij mbështetet pa kushte, ai shtoi se partia e tij do të angazhohet me të gjitha forcat që përcaktimi 20 për qind të zëvendësohet. Lidhur me kërkesën e opozitës për ndryshime kushtetuese me fuqi suspenzive, Taravari tha se një gjë e tillë bie ndesh me kornizën negociuese të vendit. /Alsat.mk

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.