Talibanët ua ndalojnë grave restorantet, fakultetet, palestrat dhe punën…

Talibanët në provincën Herat, në veriperëndim të Afganistanit, ua kanë ndaluar familjeve dhe grave të hyjnë në kopshte dhe parqe restorantesh, thanë zyrtarët më 10 prill, duke komentuar një sërë vendimesh të ngjashme.

Autoritetet e morën këtë vendim, sepse teologët dhe publiku ishin të pakënaqur me faktin që gratë, në vende të tilla, mund të takoheshin me burra.

Ndalim i tillë për parqet ka qenë tashmë në fuqi në Kabul, që nga nëntori i vitit të kaluar dhe ky është kufizim tjetër në radhën e kufizimeve që talibanët kanë vendosur, që kur morën pushtetin në gusht të vitit 2021.

Autoritetet talibane i ka ndaluar vajzat të ndjekin shkollat fillore përtej klasës së gjashtë, ndërkaq grave ua ka ndaluar universitetin. Gjithashtu atyre u ndalohet të punojnë në shumicën e aktiviteteve, ku përfshihen Kombet e Bashkuara dhe organizatat e huaja joqeveritare, ndërkaq nuk lejohen t’i vizitojnë as palestrat.

Autoritetet arsyetuan se në vende të tilla gratë mund të takojnë burra dhe atje nuk mbajnë hixhab – shami për të mbuluar flokët.

Autoritetet në Herat mohuan se grave u ndalohet të vizitojnë të gjitha restorantet, por se ndalimi vlen vetëm për restorantet me kopsht.

Autoritetet mohuan gjithashtu se në provincën e Heratit ishte ndaluar shitja e DVD-ve me filma të huaj, me emisione televizive dhe muzikë, por pronarët e dyqaneve që merren me to “u këshilluan të mos shesin materiale që bien ndesh me vlerat islame”, raporton Beta, duke iu referuar AP-së.

Megjithatë, tregtarët që nuk ndoqën “këshillën”, në fund i mbyllën dyqanet e tyre, thanë autoritetet talibane.

Këto autoritete gjithashtu mohojnë raportet e mediave se kafeteritë e internetit në Herat ishin mbyllur, por tha se lojërat ishin të ndaluara për fëmijët për shkak të përmbajtjes së papërshtatshme, sepse disa lojëra ishin “fyese” për Qaben, strukturën në formë kubi në Xhaminë e Madhe në Mekë, kah e cila kthehen myslimanët gjatë faljes.

Nga ana tjetër, “Internet-kafetë ku studentët mësojnë dhe i përdorin për studime, janë të nevojshme dhe ne i kemi lejuar”, thonë autoritetet talibane.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.