Takim koordinues i ministrit Besimi dhe përgatitje për Këshillin Nacional për reduktimin e ekonomisë joformale

Forcimi i luftës kundër ekonomisë gri do të arrihet përmes formalizimit të koordinimit ndërmjet institucioneve të sistemit në Këshillin Nacional për Formalizimin e Ekonomisë Joformale.

Organi ndërresorial së shpejti do ta mbajë mbledhjen e parë, ndërsa sot në Ministrinë e Financave u realizua takim përgatitor ndërmjet ministrit të Financave, Fatmir Besimi, i cili do të kryesojë këshillin në fjalë, drejtoreshës së Drejtorisë së të Hyrave Publike, Sanja Llukarevska, drejtorit të Drejtorisë Doganore, Stefan Bogoev, drejtorit të Drejtorisë së Policisë Financiare, Goran Ivanov dhe drejtorit të Drejtorisë së Zbulimit Financiar, Bllazho Trendafilov. Krahas koordinimit për mjedhjen e ardhshme, në takim u diskutua edhe për rregullimin e shoqërive financiare në përputhje me kornizën ligjore të sapomiratuar me qëllim të përforcimit të mbrojtjes së konsumatorëve.

Këshilli Nacional për Formalizimin e Ekonomisë Joformale përbëhet nga 20 anëtarë, përfaqësues të nivelit më të lartë nga institucionet në kompetencë të të cilave janë aktivitetet për reduktimin e ekonomisë joformale. Vendimi për themelimin e Këshillit Nacional u miratua nga Qeveria dhe roli i tij është orientimi i masave dhe aktiviteteve në përputhje me Strategjinë e formalizimit të ekonomisë joformale 2023-2027 dhe Planin aksional, të cilat janë rezultat i bashkëpunimit ndërresorial dhe bazohen në qasje gjithëpërfshirëse për ballafaqim me ekonominë joformale.

“Ekonomia joformale është një nga problemet më akute si për ekonominë ashtu edhe për shoqërinë, sepse ekonomia gri do të thotë fitim i njëhershëm për një individ në favor të humbjes afatgjate për të gjithë shoqërinë. Evazioni tatimor, puna e paligjshme dhe format e tjera të shmangies së sistemit janë të dëmshme për të gjithë aparatin publik – shëndetësinë, arsimin, aspektin social, si dhe zhvillimin e infrastrukturës. Prandaj, sistemi duhet të orientohet në drejtim të mënjanimit të kësaj anomalie, me ç’rast koordinimi i duhur ndërmjet institucioneve që janë përgjegjëse për qëllimet e ndryshme të sistemit është krucial për krijimin e sinergjisë në këtë luftë”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Targeti në periudhë afatmesme, respektivisht deri në vitin 2027 është që si rezultat i aktiviteteve të ndërmarra, ekonomia joformale të ulet për 9 pikë përqindjeje.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.