Ka pak kohë te Skënderbeu dhe duket se po përshtatet vërtet mirë. Së bashku me Rashicën, janë dyshja që janë përshtatur më shpejt se të tjerët edhe pse kanë ardhur këtë verë te bardhekuqtë. Bëhet fjalë për Suhejl Muharem.
22-vjeç mbush pas një muaji i lindur në Shkup të Maqedonisë dhe shumë shpejt po fiton zemrat e tifozërisë korçare. Në miqësoren e fundit ndaj Voska Sport, Muharem u aktivizua qysh në minutën e parë dhe mbajti numrin 25.
Paraqitjet e tij janë vërtet të mirë dhe sigurisht që shihet si një lojtar i së ardhmes te bardhekuqtë. Vetë Suhejl Muarem ka folur ditën e djeshme për “Korça Boom”, duke u shprehur me superlativa për skuadrën e tij, ekipin që ai luan, tifozërinë dhe për qytetin juglindor. Ja intervista e futbollistit maqedonas:
-Muharem, si ndjeheni edhe pse keni pak kohë te Skënderbeu?
-Ndjehem vërtet shumë mirë dhe mikpritja që më kanë bërë korçarët dhe klubi më kanë bërë bërë që të ndjehem edhe më mirë. Mund të them fjalët më të mira deri tani.
-Mendoni që jeni përshtatur shpejt me grupin, apo doni ende kohë?
-Kam shumë pak kohë këtu te Skënderbeu dhe them se jam përshtatur, por sigurisht që çdo lojtari i duhet koha e vet. Ajo që theksova më sipër që më kanë pritur mirë të gjithë në ekip, është diçka shumë pozitive për mua.
-Si ju duket Skënderbeu deri në këtë moment edhe pse është ende herët?
-Jemi mirë deri tani edhe pse nuk jemi në 100%, pasi dihet që këtë formë maksimale do ta arrijmë vetëm në startin e kampionatit. Shpresoj shumë që skuadra dhe unë përsonalisht të jemi super që në start.
-Kë do të veçonit nga grupi i futbollistëve që po stërviteni?
-Skënderbeu ka një skuadër të mirë. Dua të veçoj ata futbollistë që kanë edhe përvojën më të madhe në ekip.
-Trajneri Gvozdenoviç, çfarë ju ka thënë?
-Ajo që dua të shtoj është se trajneri më ka thënë se jemi në një klub të madh dhe kjo na motivon edhe më shumë. Me angazhimin e të gjithëve do të bëjmë gjëra të mira te Skënderbeu.
-Po për tifozët keni gjë për të thënë?
-Tifozëria gjithmonë është lojtari numër 12. Jam i bindur që edhe unë do të bëj më të mirën që ti bëj ata krenarë.