Sot nis seanca për ndryshimet kushtetuese

Sot në Kuvend duhet të fillojë seanca e 123-të plenare, ku e vetmja pikë e rendit të ditës është Propozimi për qasje në ndryshimin e Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Seanca është caktuar për në orën 11:00.

Sipas Rregullores së Kuvendit, debati zgjat maksimum dhjetë ditë pune dhe nëse është ashtu, duhet të përfundojë më 31 gusht. Një deputet mund të flasë disa herë për gjithsej 20 minuta, dhe koordinatori i një grupi parlamentar gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i propozuesit në kërkim mund të flasë disa herë, por jo më shumë se 30 minuta në total. Vendimin për qasje në ndryshimin e Kushtetutës e merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me 80 vota.

Pushteti dhe opozita mbeten në qëndrimet e tyre. Për LSDM-në ndryshimet kushtetuese janë imperativ për qytetarët dhe zgjedhje mes “Maqedonisë evropiane” apo izolim të shtetit, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare mbetet në qëndrimin e saj që të mos i mbështesë ndryshimet e Kushtetutës në këtë format, siç thonë ata, diktat bullgar dhe kërkojnë zgjedhje te parakohshme.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje tha se shumica e dy të tretave është e nevojshme për vazhdimin e integrimeve evropiane të vendit, e jo për mbijetesën e Qeverisë. Zgjedhjet, sipas kryeministrit, nuk janë zgjidhje në këtë moment.

“Duhen 80 deputetë për të votuar Maqedoninë evropiane. Qeverisë i nevojiten 61 deputetë që të mund të marrë vendime të plota dhe të punojë deri në zgjedhjen e qeverisë së ardhshme. Shumica prej dy të tretash në Kuvend për këto ndryshime kushtetuese është imperativ për çdo qytetar të vendit”, tha Kovaçevski.

Sipas Kovaçevskit, debati në Kuvend është një mundësi e mirë për qytetarët që të sigurohen se është proces për realizimin e qëllimit të dytë strategjik të shtetit, që është integrimi evropian.

Sa më shpejt ta bëjmë atë proces, thotë Kovaçevski, aq më shpejt do të bëhemi anëtarë të BE-së. Ai përsëriti se për herë të parë vetoja nuk vjen nga jashtë, por mund të vijë nga brenda.

Sipas tij, të gjithë 120 deputetët duhet të tregojnë sjellje burrështetasi dhe të jenë në lartësinë e detyrës për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët.

“Para nesh janë vendime të guximshme dhe të vështira, të gjithë 120 deputetët duhet të tregojnë sjellje prej burrështetasi, të jenë në nivel të detyrës dhe të marrin vendim, me të cilin do të mundësohet ardhmëri më e mirë, për gjeneratat e ardhshme, për neve, për fëmijët tanë”, ka shkruar Kovaçevski në profilin e tij në “Fejsbuk” pas takimit me ambasadoren amerikane Anxhela Ageler.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u ka dërguar një letër të hapur deputetëve në të cilën ka thënë se nga vendimi i tyre do të varet nëse vendi do t’i vazhdojë negociatat me BE-në apo do t’i ndalë për një periudhë më të gjatë pa asnjë garanci për sukses.

“Të premten Ju do të vendosni për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, përcaktim ky për të cilin jemi duke punuar dhe kanë punuar të gjitha Qeveritë në 30 vitet e fundit. Nga Ju varet nëse me pranimin e ndryshimit të Kushtetutës do t’i vazhdojmë bisedimet për kapitujt e anëtarësimit në Union apo do të ngecim në negociata për një afat më të gjatë, deri në një mundësi të re, pa asnjë garanci suksesi, duke nxitur procesin e “pasaportizimit” të qytetarëve që kërkojnë një të ardhme evropiane për veten e tyre”, thotë ministri Osmani.

Ai siguron se çështjet e identitetit dhe ato historike nuk janë pjesë e negociatave.

“Me shumë përgjegjësi pohoj se çështjet historike dhe identitare nuk janë pjesë e udhërrëfyesve dhe dispozitave nga të cilat varet hapja dhe mbyllja e kapitujve. Me këtë ndryshim të Kushtetutës, ne vetëm do ta përforcojmë pozitën tonë ndërkombëtare dhe do ta rrisim mbështetjen ndërkombëtare për qëllimet tona. Përmes negociatave do të përmirësohen dhe forcohen dukshëm mundësitë për të vazhduar promovimin dhe avancimin e veçantisë, historisë dhe kulturës nacionale maqedonase” thekson Osmani.

Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare përsëritën se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese. Ata njoftuan se do të marrin pjesë në seancën plenare, ndërsa para mbajtjes së saj, siç tha dje kryetari i partisë Hirstian Mickoski, do të kenë një koordinim.

Kryetarët e Alternativës, Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Demokratike, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, dje në një konferencë të përbashkët për media, kërkuan që urgjentisht të votohet nevoja e ndryshimit të Kushtetutës dhe bashkë me të të vendosen edhe ndryshimet për, siç thanë ata, heqja e 20 për qindëshit për gjuhën shqipe, si dhe ndryshimi kundër parashkrimit për rastet e korrupsionit politik.

Nëse në afat të shkurtër nuk sigurohet shumica e nevojshme për votimin e fazës së parë të ndryshimeve kushtetuese, sipas kreut të Alternativës, Afrim Gashi, do të jetë e qartë se kjo përbërje parlamentare nuk ka kapacitete për të zhbllokuar negociatat për Integrimi në BE dhe do të bëjnë thirrje të votohet për shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në një intervistë për MIA-n në fillim të këtij muaji, tha se pas kontrollit, votimi për nevojën e ndryshimeve kushtetuese mund të shtyhet dhe nëse nuk ka kushte, mund të mos zhvillohet aspak.

“Seanca e datës 18 gusht do të hapet dhe rendi i ditës do të miratohet siç është procedura, prandaj kërkohet prania e 61 deputetëve dhe për votim të paktën një e treta e numrit të përgjithshëm. Është parim i përgjithshëm dhe sigurisht hapet diskutim, debat, thirret sipas procedurës të hapet debat. Çfarë do të jetë, si do të jetë, nuk mund ta them tani sepse nuk mund të parashikoj. Por është detyrimi im që të kem planifikuar dhjetë ditë pune që Kuvendi të mund të punojë nëse është regjistruar për të folur për kaq shumë, kështu që maksimumi që debati të zgjasë është dhjetë ditë. Debati përfundon në ditën e dhjetë, pavarësisht nëse ka mbetur apo jo folës”, sqaroi Xhaferi.

Ai tha gjithashtu se nëse nuk ka një shumicë prej dy të tretash, votimi mund të shtyhet, por edhe të mos ndodhë, duke përfunduar kështu procedura për ndryshime kushtetuese.

Share

Go toTop