Sot në Strasburg do të nënshkruhet zyrtarisht vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Për këtë arsye për në Strasburg udhëton zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.
“Ai do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, e organizuar nga presidentja e Parlamentit Roberta Metsola”, thuhet në njoftim.
Ceremonia do të fillojë në orën 14:45.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, zëvendëskryeministri Bislimi do të mbajë një konferencë për media në Parlamentin Evropian së bashku me eurodeputetin dhe raportuesin për Kosovën për çështjen e vizave Thijs Reuten, me fillim nga ora 15:15.
Ndryshe, dje Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Presidentja e vendit Vjosa Osmani e ka quajtur hap të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë, por edhe vetë Evropën./Kosovapress