Mazllam Mazllami, një hoxhë nga Prizreni i cili së fundmi u bë i njohur pasi ‘xhemati’ ia dhuroi një Mercedes luksoz me rastin e pensionimit, e ka përdhosur flamurin kombëtar shqiptar, duke e quajtur arnë e leckë, raporton Gazeta Express.
Mazllami, pas kritikave ndaj të cilit para pesë ditësh u sulmua gazetari Valon Syla, e ka incizuar një video e cila është shpërndarë në rrjetet sociale, përmes së cilës iu bën thirrje myslimanëve që të mos e kosniderojnë të rëndësishëm flamurin.
“Kjo është harrën, leckë, bezë. Këta kur e kemi qitë për 28 Nëntorin… Edhe mos me qitë hiç, kurrgjë s’bëhet kijameti. Populli ynë, populli shqiptar janë myslimanë 80%, e njohin më opaganizmin çka është. Ne nuk adhurojmë shqiponja, nuk adhurojmë zogj”, thotë hoxhë Mazllami.
Për të të padenjë janë edhe dëshmorët, përceç atyre që “janë dëshmorë të Allahut”.
“Shehid nuk bidet qysh po thotë dikushi – plot shehidë jemi ba, është mbushë Kosova dëshmorë. E lus Allahun që këta që kanë ra dëshmorë, ishalla janë dëshmorë të Allahut. Se na që i shkruajmë dëshmorë e ju vnojmë pllakata mas 50 vjete krejt jau thejmë”, thotë Mazllam Mazllami.
“Edhe pse është himni të gtjithë të bashkuar rreth flamurit, edhe me u bashku krejt rreth flamurit, me qet flamur në xhenet a hyjmë?”, shton ai.
Mazllam Mazllami të hënën e mori për dhuratë një veturë luksoze të tipit Mercedes dhe në organizimin e befasisë për të mori pjesë edhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Nga kjo gazetari Syla mori shkas që të nesërmen t’i bënte disa reagime me ironi e humor, duke shkruar se si prijësit fetarë të myslimanëve në vend po duken si “njerëz të showbizit”. Në fund të ditës, u sulmua brutalisht nga tre persona, të cilët kanë pranuar se kritikat e Sylës ishin motivi i tyre, duke mos shprehur pendesë për sulmin.
Hoxha nga Prizreni para disa vitesh ishte i akuzuar për thirrje për rezistencë dhe për shtytje për kryerjen e veprave terroriste. Më saktësisht, ai dhe disa imamë të tjerë dyshohej se i kishin nxitur disa nga ‘xhemati’ i tyre të shkonin në Siri për të luftuar. Nga ky proces, Mazllami ishte shpallur i pafajshëm.