Silvinjo e nis me 3 mungesa, Shqipëria në këmbët e Dakut. Ja si mund të luajmë në Çeki

Pragë dhe Tbilisi, Çekia dhe Gjeorgjia janë dy transfertat në radhë për Kombëtaren shqiptare, e cila do të kërkojë të marrë maksimumin për të qëndruar në garë për kalimin në një ligë më lart në “Nations League”.

Trajneri Silvinjo pati 3 mungesa në seancën e parë stërvitore, që u zhvillua në orën 16:00. Bëhet fjalë për Arbër Hoxhën, Qazim Laçin dhe Nedim Bajramin, që janë bashkuar me grupin në mbrëmje. Fillimisht në fushë ka dalë stafi teknik, më pas ishte Hysaj, Asllani dhe Balliu të cilët dolën të parët. Me tej u bashkua edhe Seferi, Ramadani, Mitaj, Pajaziti dhe Hadroj, Mihaj, Abrashi, Ajeti dhe Kumbulla. Ndërkohë me grupin u bashkuan edhe tre lojtarë të Kombëtares U-21, Gjini, Rexhepi dhe Fetai. Në pjesën e dytë të seancën, u zhvillua dhe një takim miqësor ku u përfshinë lojtarë nga Shpresat dhe ekipi U-19.

GJIMSHITI JASHTË– Kapiteni i Kombëtares shqiptare nuk do të jetë gati për këto dy ndeshje, duke munguar sërish pasi edhe në shtator ai pësoi një lëndim të lehtë. Diçka të tillë e ka konfirmuar edhe FSHF-ja: “Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se kapiteni Berat Gjimshiti nuk do të jetë i gatshëm për Kombëtaren në sfidat e radhës në UEFA Nations League ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë për shkak dëmtimi. Mbrojtësi kuqezi pësoi një dëmtim në ndeshjen e Champions League, Shakhtar Donetsk – Atalanta dhe pas përfundimit të pjesës së parë nuk zbriti më në fushë. Gjimshiti nuk ishte i grumbulluar me Atalantën edhe në ndeshjen e fundjavës në kampionat ndaj Genoa. Stafi mjekësor i Kombëtares shqiptare ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me atë të Atalantës dhe është vendosur që Gjimshiti të mos rrezikojë, që të rikuperohet sa më parë dhe të rikthehet sa më shpejt në fushën e lojës. Lista përfundimtare e Kombëtares është me 23 futbollistë pasi trajneri Silvinjo dhe stafi teknik kanë vendosur që të mos thërrasin tjetër lojtar në mungesë të Gjimshitit”.

SI LUAJMË- Me mungesën e Gjimshitit, gjërat bëhen më “të lehta” për Silvinjon pasi qendra e mbrojtjes pritet të jetë si në ndeshjet e shtatorit, me Kumbulla-Ismajli. Ndërkohë pjesa tjetër e pa ndryshuar, me përjashtim të Dakut që pritet të zëvendësojë Rei Manaj të dëmtuar.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.