Brnabiç anulon vizitën në Greqi, mediat greke: Mitsotakis arriti të prishë marrëdhëniet diplomatike me Serbinë
Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç ka anuluar pjesëmarrjen e saj në forumin ekonomik të Delphit që fillon nesër në Greqi.
Lajmin e bëjnë me dije disa media opozitare greke sipas të cilave ky zhvillim vjen menjëherë pas shqyrtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe përkrahjes së saj nga 33 prej 46 anëtarëve si dhe pesë abstenimeve midis të cilëve ishte edhe Greqia.
Mësohet se dje në mbrëmje menjëherë pas votimit ministria e Jashtme në Beograd ka njoftuar Athinën se znj.Brnabiç nuk do të marrë pjesë në forum , ndërsa pala greke duke kuptuar arsyen nuk ka kërkuar shpjegime. Madje në programin e kryeministres serbe ishte edhe një takim më homologun e saj Mitsotakis, takim që edhe ky është anuluar.
Mediat në fjalë theksojnë se qeveria Mitsotakis arriti të prishë marrëdhëniet diplomatike me një vend tradicionalisht mik, Serbinë.
Pikërisht qëndrimi neutral i Greqisë në Këshillin Evropian në lidhje me kërkesën për anëtarësim të Kosovës shkaktoi shqetësim të madh në Beograd dhe të hënën vonë në mbrëmje u vendos që kryeministrja serbe të mos marrë pjesë në forumin ekonomik të Delphit – shkruajnë ato.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic, duke folur për televizionin shtetëror të vendit RTS, ka deklaruar se është i zhgënjyer nga homologu i tij grek dhe qëndrimi i Greqisë në votimin për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Greqia më befasoi. Ministrin nga Greqia e ka nderuar në shtëpinë e tij vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic”, ka thënë Dacic, duke iu referuar vizitës së fundit të Dendias në Beograd dhe darkës që ka pasur me presidentin serb.