Po punonin në ndërtimin e murit pranë lumit që kalon mes fshatit Shipkovicë, por nuk ia dolën pasi një pjesë e murit u shemb.
50 vjeçari J.C nga Shqipëria dhe 63 vjeçari A.A nga fshati Sellcë i Tetovës, sic percjell KlanM, pas lëndimeve të rënda trupore vdiqën në vend të ngjarjes.
“Këtu është duke u ndërtuar muri mbrojtës i lumit që kalon mes fshatit Shipkovicë, një pjesë e murit është shkepur dhe ka zënë dy punëtorët që kanë qenë të angazhuar në atë pjesë”, tha zjarrfikësi, Avni Ameti.
Policia, prokurorë e zjarrfikës dhe mjekët e urgjencës ishin në terren. Disa orë ka zgjatur nxjera e personave nga gërmadhat.
“Në ora 15:45 në SPB-Tetovë është raportuar se dy persona gjatë kryerjes së punëve ndërtimore në fshatin Shipkovicë të Tetovës, A.A.(63) nga Selca e Tetovës dhe J.C.(50) nga Republika e Shqipërisë, kanë marrë lëndime të rënda trupore nga të cilat kanë ndërruar jetë. Mjekët e Urgjencës kanë konstatuar vdekjen e tyre”, thonë nga SPB Tetovë.
Prokuroria Publike, pas kryerjes së ekspertizës në vendngjarje, sic njofton KlanM, ka urdhëruar që të sigurohet i gjithë dokumentacioni nga personi juridik poashtu ka kërkuar edhe dokumentacionin nga komuna e Tetovës për ndërtimin e murit.
“Prokurori publik ka urdhëruar që të sigurohet i gjithë dokumentacioni nga personi juridik që ka angazhuar punëtorët, si dhe dokumentacioni nga komuna lidhur me ndërtimin e murit. Në vendngjarje ka shkuar edhe Inspektorati Shtetëror i Punës, i cili do të përgatisë një raport, për të përcaktuar arsyet si ka ardhur deri te ngjarja, poashtu do të merren në pyetje më shumë persona”, thonë nga PTHP.
Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami ka shprehur keqardhje për ngjarjen e rëndë duke shprehur ngushëllime familijarëve.
“Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike në fshatin Shipkovicë, ku si pasojë e shembjes së murit humbën jetën dy punëtorë, të cilët punonin në riparimin e murit. Ngjarja e dhimbshme na ka prekur të gjithëve, na ka lënë pa fjalë”, ka shkruar Kasami në profilin e tij në facebook.
Punëtorët e angazhuar kanë punuar në ndërtimin e murit mbrojtës për lumin që kalon në mes të fshatit Shipkovicë në periudhën kur sipas vendimit të autoriteteve, nuk është rekomanduar të punohet për shkak motit të nxehtë./KlanMacedonia