Shembull tipik i racizmit

June 18, 2023

Rilind Dauti

Më 2016 kur kandidati Donalld Tramp e vendosi në pikëpyetje paanshmërinë e një gjykatësi amerikan me prejardhje meksikane që e udhëhiqte procesin për universitetin mashtrues “Trump University”, spikeri i atëhershëm i Dhomës së Përfaqësuesve, Poll Rajan, që vjen nga e njëjta parti si Trampi, ashpërsisht e kritikoi atë duke thënë “Të pretendosh se një person nuk mund ta bëjë punën e tij për shkak të racës së tij është disi si përkufizim nga tekstet shkollore i një komenti racist”.

Me një deklaratë që nuk le shumë për të paramenduar, në një pozitë të tillë të turpshme e ka sjellë veten Hristijan Mickoski që për të disatën herë e sulmon aftësinë, të drejtën, dhe besueshmërinë e Bujar Osmanit për ta bërë punën e tij si ministër i punëve të jashtme.

“Bujar Osmani nuk ka kredibilitet të flasë për identitetin tim maqedonas dhe të më tregojë se çfarë mendon Bullgaria për mua. Shumë herë në të kaluarën, me veprimet e tij, në vend që të tregojë respekt si ministër në një vend ku shumica janë maqedonas, ai jo vetëm që nuk ka treguar por edhe na ka shkelur.”

Puna e opozitës është që ta sulmojë punën e pushtetit në maksimum, kjo është normale që të ndodhë edhe në Maqedoninë e Veriut, por sulmet e “VMRO”-DPMNE-së shkojnë përtej kësaj duke dalë në terrenin e shovinizmit.

Këto sulme kryesisht janë të tipit “dog whistle”, kur përçohen mesazhe raciste me fjalor skajshmërish indirekt dhe të koduar që para publikut të përgjithshëm mund të mohohet që bëhet fjalë për diçka problematike, por që me sukses “e prek në tel” një pjesë të elektoratit që shumë mirë e kupton se për çka është fjala.

Taktikën “dog whistle” e shfrytëzon “VMRO”-DPMNE kur thotë se jo LSDM-ja por BDI-ja është vendimmarrësja kryesore në qeveri, por në fakt kuptimi i vërtetët është pretendimi që LSDM ka lejuar që shqiptarët të kenë shumë pushtet në Maqedoni.

Megjithatë, te sulmet ndaj Bujar Osmanit nuk kemi të bëjmë me retorikë të tillë të koduar por me akuzë shumë të drejtpërdrejtë që Bujar Osmani nuk ka kredibilitet të zhvillojë negociata me Bullgarinë për shkak se është shqiptar.

Pa dyshim që një akuzë e tillë fare s’ka të bëjë me realitetin, sepse prej në fillim fare politikanët shqiptarë kanë patur qëndrim parimor për çështjet që specifikisht i prekin maqedonasit. Gjithçka që është e pranueshme për maqedonasit e që nuk u bën dëm shqiptarëve, është e pranueshme edhe për shqiptarët.

Për shembull, propozimi i viteve ’90 që emri i shtetit të jetë Sllavomaqedonia, ishte i papranueshëm për shqiptarët, por emri Maqedonia e Veriut është në rregull përderisa për shqiptarët nuk ndryshon asgjë, ndërsa mbështetet nga një pjesë e madhe e maqedonasve.

Edhe në mosmarrëveshjet me Bullgarinë politika shqiptare e ka të njëjtin qëndrim parimor.

Ministri Bujar Osmani nuk del aspak përtej asaj që është e pranueshme për pjesën maqedonase të qeverisë. Por ashtu siç e ka shprehi prej 1990-s, “VMRO”-DPMNE në gjithçka përpiqet të gjejë fajtor dhe rrezik te shqiptarët.

Previous Story

Beogradi protestoi kundër Vuçiqit, “Serbia kundër dhunës” kërkon dorëheqjen e kryeministrit serb

Next Story

Goli i Jasir Asanit futet nga UEFA në garën për golin më të bukur të këtij raundi

Latest from Blog

Go toTop