Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ndërtojnë bazë ushtarake në veri të Kosovës, përcjell Reporteri.net.
Sipas saj, vetëm në këtë mënyrë ndalet lufta gjeopolitike e Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.
“Amerika të ndërtojë bazë ushtarake në veri të Kosovës, vetëm në këtë mënyrë ndalet lufta gjeopolitike e Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit! Si rezultat vija gjeopolitike perëndim- lindje vendoset drejt në Ballkan”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Dje, Shtetet e Bashkuara thanë se nuk kanë mundur ta vërtetojnë se Serbia i ka tërhequr trupat dhe mjetet ushtarake nga kufiri me Kosovën, tha të hënën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Ai theksoi se Washingtoni vazhdon të jetë i shqetësuar për rritjen e vazhdueshme të tensioneve dhe dhunës së herëpashershme në veri të Kosovës.
Të hënën më herët, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, tha se Serbia i ka tërhequr disa prej trupave të ushtrisë së vet të vendosura pranë kufirit me Kosovën, pasi e kishte rritur numrin e trupave atje pas sulmit të një grupi të armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku.
“I kemi parë lajmet se Serbia i ka tërhequr trupat, por ne nuk kemi mundur ta vërtetojmë ende në mënyrë të pavarur këtë”, tha Miller gjatë një konference për media të hënën.
Ai tha se SHBA-ja do të kërkojë ta vërtetojë këtë dhe se “nëse kjo është e vërtetë, atëherë ky është hap i mirëseardhur, diçka për të cilën bëmë thirrje të ndodhte javën e kaluar”.
“Dua t’ju informoj se nuk ka pasur ngritje të gatishmërisë së plotë luftarake të Forcave të Armatosura të Serbisë, por vetëm prani dhe angazhim të shtuar të njësive”, tha ai.