Shaqiri: Pagat në arsim edhe mëtej do të rriten, procesi i digjitalizimit vazhdon

October 7, 2023

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Dr.Jeton Shaqiri në intervistë për portalin Politiko.mk, i pyetur mes-tjerash edhe për rritjen e pagave në arsim ka deklaruar se brenda një viti punonjësve të arsimit u janë rritur pagat për 35 për qind.

“Brenda një viti punonjësve të arsimit u janë rritur pagat për 35 për qind. Të gjithë këtë e kemi arritur nëpërmjet një bashkëpunimi. Edhe mëtej do të punojmë për të rritur pagat. Të gjithë mësimdhënësit nga muaji shtator marrin rroga me 15 për qind rritje. Në këtë kohë kemi pasur edhe rritje të pagave në arsimin e lartë rreth 30 për qind brenda një periudhe kohore një vjeçare” , thotë Shaqiri.

Ministri Shaqiri thotë se pagat në arsim do të vazhdojnë të jenë në rritje edhe për vitin e ardhshëm, sepse, siç thotë ai, shihet se ka një motivim të mësimdhënësve në arritjen e rezultateve sa më të mira në të gjitha nivelet e arsimit.

“Çdo ditë ne si ministri hasim në angazhime të reja në aspektin e investimeve kapitaleve në rikostruktimin e shkollave, ku deri më tani janë renovuar një numër i madh i shkollave fillore, si edhe të mese, duke filluar me qytetin e Strugës, Kërçovës, gjithashtu në Komunën e Pllasnicës dhe Dollnenit”, thotë ministri i arsimit dhe shkencës Dr.Jeton Shaqiri.

Politiko: Zoti Shaqiri furnizimi i nxënësve me libra është drejt finalizimit. A do të përfundojë procesi deri në fund të muajit?

Jeton Shaqiri: Ky proces për këto ditë që po bisedojmë është duke përfunduar. Unë dua të përgëzojë të gjithë procesin e printimit të teksteve shkollore dhe në të njëjtën kohë dorëzimin dhe shpërndarjen e tyre, për arsye se gjatë vitit 2023 janë printuar më shumë se 140000 tekste shkollore të cilët ishin shpërndarë tek nxënësit. Por këtë vit në krahasim me vitet tjera shkollore ne kemi pasur procesin e printimit dhe aprovimit të një teksti shkollorë.

Nga ana e ministrisë do të bëhen përgatitjet e fundit ditore të cilat i kemi për t’i shpërndarë tekstet shkollore, bëhet fjalë vetëm për tekstet e klasës së gjashtë dhe bëhet fjalë për disa tekste për përfundim në shkollën e mesme, të cilat do të përfundojnë ditën e premte. Pra deri javën e ardhshme të gjitha tekstet shkollore, më shumë se 98 për qind të atyre që janë me konceptin e arsimit të ri fillor të arrijnë deri tek nxënësit.

Dua t’i falenderoj të gjithë ata që kanë qenë të kyçur në këtë proces sepse nuk ka qenë një proces i lehtë, ka qen një proces me shumë angazhime me përkushtim dhe vazhdon të jetë po i njëjti proces sepse ka qenë një periudhë e trashëguar, me çështjen e reformës së re, me çështjen e arsimit profesional, me çështjen e arsimit të gjimnazit. I gjithë ky diskutim për çështjet shkollore është temë e hapur për të cilën çdo ditë e më shumë duhet t’i jepet kontribut.

Politiko: Zoti ministër gjatë këtij viti keni investuar në dhjetëra shkolla në infrastrukturë dhe modernizim, madje disa prej tyre janë rindërtuar. Si ka rrjedhur ky proces? Sa shkolla fillore dhe të mesme janë përfshirë në procesin e rikonstruksionit dhe renovimit?

Jeton Shaqiri: Çdo ditë ne si ministri hasim në angazhime të reja në aspektin e investimeve kapitaleve në rikonstruimin e shkollave, ku deri më tani janë rinovuar një numër i madh i shkollave fillore, si edhe të mese, duke filluar me qytetin e Strugës, Kërçovës, gjithashtu në Komunën e Pllasnicës dhe Dollnenit ku shkolla di të jetë me fasadë ekologjike, e vetmja në Maqedoninë e Veriut, Dibrës, Gostivarit, Tetovës, ku gjithashtu është investuar edhe në konviktin e Tetovës për të gjithë studentët e vendit, Shkupit, Krushevës dhe qyteteve të tjera ku janë përfshi shkollat fillore dhe të mesme.

Politiko: Ministria e Arsimit ka shtuar edhe mbështetjen edhe për studentët. Çfarë ndihme konkrete marrin ato nga shteti?

Jeton Shaqiri: Jemi shteti i vetëm në rrethin e Ballkanit perëndimor që kemi marrë një model të shteteve evropiane. Sa i përket racionit studentor i cili kishte vlerë 120 denarë, me kërkesë të të gjitha parlamenteve studentore është rritur me vlerë 140 denarë, dhe të shihet nga ky vit bazë në vitin e ardhshëm, si ka lëvizur niveli i inflacionit.

Kjo është vetëm ndihmesa e racionit studentor sepse Ministria e Arsimit shpërndan edhe lloje të ndryshme të bursave, ku disa bursa për ndihma sociale dhe lloje të tjera të bursave i kemi vendosur 6200 denarë. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit Maqedonia e Veriut ka bursat më të larta. Gjithashtu kemi bursa të cilat janë për sukses të cilat janë më të larta se 6000 denarë, gjithashtu ka bursa për drejtime deficitare që janë 18000 denarë.

Ka bursa ku studentët munden të shkojnë në programet e masterit në shtetet me të cilat kemi memorandum bashkëpunimi. Bursat kanë të bëjnë me procesin, me kategoritë e ndryshme me programin qeveritar, ndërsa subvencioni studentor është diçka tjetër. Megjithatë edhe studentët të cilat kanë të hyra të tjera apo marrin bursa të kategorive të ndryshme kanë të drejtë të marrin subvencione.

Politiko: Cila është rëndësia e mbështetjes së inovacioneve nëpër kompanitë e vendit tonë? Si do të ndihmojnë këto inovacione në zhvillimin e mësimit dual dhe në punësimin e nxënësve dhe studentëve?

Jeton Shaqiri: Sa i takon aspektit të inovacioneve është viti i tretë me radhë që po organizohet kampanja “Mëso me mençuri dhe puno me profesionalizëm”, një kampanjë shumë e rëndësishme për t’i motivuar nxënësit e shkollave të mesme për t’u regjistruar në drejtimet profesionale.

Gjegjësisht kjo është zhvilluar me një komunikim mes ministrisë së arsimit, pushtetit lokal, mes kompanive ose odave ekonomike në pushtetin lokal dhe në të njëjtën kohë midis shkollave profesionale, dhe u arrit ky qëllim i cili dha rezultate që mbi 70 për qind të nxënësve të regjistrohen në drejtime profesionale që jemi shtet pothuajse me rezultate shumë të veçanta nga vendet e tjera të rajonit.

Ky projekt është në rritje pozitive, ku në fillim numri i kompanive pjesëmarrëse ka qenë 50, ndërsa sot është mbi 400 kompani. Gjithashtu kam pasur mundësi që me Fondin e Inovacionit, ku ka pasur dhe projekt për mbështetjen e inovacioneve, ku bashkërisht mes Fondit dhe Ministrisë të promovojmë këto iniciativa, ku ka qenë e kyçur edhe bota akademike për të dhënë kontribut edhe në sektorin e arsimit.

Politiko: Kemi rritje historike te rrogave ne arsim, a do te vazhdoje ky trend i rritjes?

Jeton Shaqiri: Të gjithë këtë e kemi arritur nëpërmjet një bashkëpunimi dhe negociate pas një periudhe greve që e patëm. Por çdo herë kam qenë në anën e asaj se nuk ka nevojë për grevë unë jam në anën tuaj dhe do të punojmë për të rritur pagat dhe kjo është e arritur me pagën e muajit shtator, e cila do të merret për të gjithë mësimdhënësit dhe do të jetë një përqindje prej plus 15 për qind.

Në këtë kohë kemi pasur edhe rritje të pagave në arsimin e lartë rreth 30 për qind brenda kësaj periudhe kohore një vjeçare që do të vazhdojnë edhe periudhën e ardhshme. Pothuajse gati e kemi marrëveshjen e shumë përmendur kolektive me sindikatën e arsimit, ku do të insistojmë së bashku me sindikatën që për diferencën e mos-rritjes më herët të pagave të pagave të mund të gjejmë një model të përshtatshëm, e cila do të jetë në një rritje të vazhdueshme.

Pra pagat do të vazhdojnë të jenë në rritje edhe për vitin e ardhëm sepse e shoh si një motivim të mësimdhënësve për të kontribuar tek rezultatet në të gjitha nivelet e arsimit.

Politiko: Zoti Shaqiri a ka Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndonjë afat kohor për digjitalizimin?

Jeton Shaqiri: Procesi i digjitalizimit ka të bëjë me dy faza, njëra fazë është digjitalizimi në aspektin e infrastrukturës, ku këtu ka detyra dhe obligime edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sepse duhet të fillojë projekti i digjitalizimit të institucioneve.

Ne kemi bërë një studim fizibiliteti për të gjitha shkollat fillore ku të shohim gjendjen se si e kanë, përveç kësaj, do të vazhdojmë që brenda këtyre ditëve të fillojmë me rreth 40 shkolla që t’i bëjmë për nga aspekti infrastrukturorë pra për brenda do t’i rregullojmë çështjet e rrjetit e kështu me radhë, të cilat kanë të bëjë për të ndihmuar procesin e digjitalizimit. Gjithashtu së shpejti do të fillojë edhe digjitalizimi i teksteve që nuk do të nënkuptojmë vetëm formën e një formati elektronik, por materiale të digjitalizuara lehtësuese që fëmijët të mund t’i marrin materialet.

Dhe vetëm nëpërmjet këtyre dy elementeve, infrastrukturës dhe digjitalizimit nuk zgjidhet i gjithë problemi sepse janë shumë institucione të shkollave fillore. Por unë mendoj me këtë strategjinë ndërtuese rreth 5 vjeçare në arsimin fillor do të kemi më shumë institucione të digjitalizuara për nga aspekti infrastrukturor, do të kemi materiale të digjitalizuara të cilat i merr për obligim ministria. Gjithashtu duhet theksuar fakti se kemi edhe sistemin e evidencës elektronike, pra ditarin elektronik i cili do të jetë më ndryshe se çka qenë tani.

Previous Story

Partitë shqiptare nuk duan parti proserbe në Qeverinë e Malit të Zi

Next Story

Ismaili del hapur kundër Gashit, deputeti i Alternativës i bashkëngjitet “karvanit” evropian të udhëhequr nga Qeveria

Latest from Blog

Go toTop