Serbia “aktivizon” 48 baza ushtarake rreth kufirit me Kosovën, banorët e zonës kufitare thonë se ndihen të rrezikuar

Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit i cili u zmbraps falë njësiteve speciale të Policisë së Kosovës, banorët e brezit kufitar me Serbinë thonë se ndjehen të frikësuar e të rrezikuar nga prania e xhandarmërisë së Serbisë.

352 kilometra vijë kufitare me Serbinë, shumica zonë e militarizuar nga shteti që nuk heqë dorë nga ëndrra e pa-realizueshme, gllabërimi i Kosovës.

Nga gushti i vitit 2001, Serbia ka ngritur rreth kufirit 48 baza operative të avancuara, 28 të ushtrisë dhe 20 të xhandarmarisë.

Sipas Qeverisë së Kosovës gjatë së shtunës Serbia ka vënë në gjendje gatishmërie në të gjitha bazat, përfshirë edhe vendosjen e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë.

Lëvizje të ushtrisë serbe janë bërë nga tri drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior, njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor.

Nga Vranja baza më e afërt nga kufiri lindor është në Vratagosh, rreth 15 kilometra nga fshati Karaçevë.

Më 7 gusht 2020, xhandarmëria serbe kishte hyrë thellë në territorin e këtij fshati. Dëshmi janë edhe pamjet nga një restaurant që ndodhet buzë kufirit.

“Shikoje sa kanë hyrë thellë, se shpesh i dëgjoj thonë disa “jo po rrejnë se nuk i kanë pa”. Ne vetë i kemi parë me sy, shikoje, nga kanë hyrë, jo këtu po kanë hyrë këtu afër malit edhe kanë dalur te oxygeni”, ka thënë për RTV Dukagjinin, Rabit Kastrati, kryetar i fshatit Karaçevë.

Rabit Kastrati ka shumë për të rrëfyer por thotë se nuk ka kujt t’i flas. Ata që duhet të dëgjojnë sipas tij nuk e bëjnë.

“KFOR-i nuk qëndron këtu poshtë vetëm janë në lëvizje, dalin edhe kthehen…Policia ecin poshtë përpjetë këtë vijën e ecin, deri tek lisi, patrullojnë, por je me qëndrua.”

Kohëve të fundit banorët e brezit kufitar nuk kanë parë forca të shtuara të xhandarmërisë, por prapë jetojnë me frikën se mund t’i hasin kudo.

“Tash pasi që ndodhi atje e kanë njëfarë frike banorët e kanë sepse ne jemi këtu të pambrojtur. Sidomos gjatë natës, roje nuk ka armatim nuk ka me bo me ndodh diçka ku e gjen Policinë apo KFOR-in”, shtoi ai.

Kryetari i fshatit më lindor të Kosovës kërkon që të shikohen mundësitë që në këtë zonë të ngritet të paktën një kazermë ushtarake, e të flenë të qetë në shtëpitë e tyre.

Karaçeva ka mbi 300 shtëpi, gjysma e të cilave janë të boshatisura. Një ndër faktorët është edhe mungesa e sigurisë. Fat të ngjashëm kanë përjetuar edhe banorët e fshatit Breznicë, tash i mbetur në anën tjetër të kufirit. Edhe pse jo para kamerës këtu banorët thonë se nuk kanë parë shtim të forcave ushtarake e policore, por prapë me drojën se janë në rrezik.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.