Ish-kryeministri Pandeli Majko dhe ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj kujtuan disa momente nga një prej ngjarjeve më të rëndësishme në procesin për pavarësinë e Kosovës, bombardimin e Serbisë.
Majko tha se ngjarja më e rëndësishme ishte firmosja e marrëveshjes së Rambujesë, që më pas çoi në vendimin për të bombarduar Serbinë. Në emisionin “Zona Zero” në Top News, Majko tha se në atë kohë kishte rrezik që dy shtete të NATO-s të kundërshtonin vendimin për bombardimin.
“Kam pasur një telefonatë me sekretarin e Përgjithshëm, Solana, dhe u ktheva në Këshillin e Ministrave ku i njoftova se filloi bombardimi. Rambujeja ishte ngjarja më e rëndësishme, firmosja e saj, nga Hashim Thaçi, firmosja e ktheu automatikisht Kosovën jo thjesht në një delegacion. Aty filloi kuptimin dhe ecurinë në marrëdhëniet ndërkombëtare si shtet. Dënimi i Serbisë për shkak të mosfirmosjes, automatikisht, Prishtina u kthye në Prishtinë zyrtare. Menjëherë më pas u formua qeveria Thaçi”, u shpreh Majko.
Ndërsa Limaj tha se në atë kohë, detyra e tij ishte të krijonte një unitet mes komandantëve të UÇK-së në terren për t’u dakodësuar në firmosjen e marrëveshjes, nga delegacioni që ndodhej në Rambuje.
“Unë së bashku me Rexhep Selimin kemi qenë të caktuar për komunikimin me delegacionin e Rambujesë. Jemi munduar që vazhdimisht t’i informojmë drejtuesit me atë çka po ndodh. Në çdo gjë që ka ndodhur në terren unë e kam informuar delegacionin tonë në Rambuje. Ne vazhduam takimet në terren së bashku dhe më pas thirrëm të gjithë dhe shtabin e përgjithshëm, kemi mbajtur komunikimin me komandantët e zonave. Ka qenë shumë e rëndësishme komunikimi dhe uniteti në terren. Nuk kemi pasur ne nevojë ta komandojmë delegacionin, ai ka pasur besimin tonë të plotë. Kur kanë fluturuar aeroplanët në orën 8, në orën 10-10 e 30 është rrëzuar një aeroplan, nga 800 metra larg vendqëndrimit tonë, jemi afruar dhe kemi pa se aeroplani ka pas flamurin e Serbisë. Pas nja 10 minutash kemi gjetur karrigen fluturuese dhe ushtarët kanë dalë për të kërkuar pilotin. Piloti mendohet se u largu në bazën e tij sipas GPS”, u shpreh Limaj.
Ish-kryeministri Majko, në atë kohë kujtoi edhe një moment disi komik:
“Gjatë Rambujesë, ne ndiqni delegacionin serb, jo atë të Kosovës. Kur na thanë që delegacioni serb pinte verë në bodrumet e kështjellës së Rambujesë, ky ishte një lajm i mirë për ne, jo për ata”.