Sejdiu nënshkruhet në Librin e Zisë me rastin e vdekjes së presidentit Ahtisaari

Presidenti i Republikës së Kosovës në vitet 2006-2010, Fatmir Sejdiu, sot u nënshkrua në Librin e Zisë, në Ambasadën e Finlandës në Prishtinë, duke shprehur ngushëllime dhe kujtuar me pietet, personalitetin dhe kontributin e Presidentit Marti Ahtisaari dhënë për pavarësinë e Kosovës.

Po kështu Presidenti Sejdiu i dërgoi telegram ngushëllimi familjes së Presidentit Ahtisaari. Në telegram ai shkruan:

“E nderuara Familje Ahtisaari,

Mora me pikëllim të thellë lajmin për ndarjen nga jeta të Presidentit Martti Ahtisaari, burrështetasit shembullor finlandez si dhe diplomatit nga më të shquarit e kohës sonë, krijuesin e paepur të paqes dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve.

Presidenti Ahtisaari do të kujtohet përherë nga qytetarët e Kosovës si personalitet që nuk kurseu gjithë energjinë e tij për pavarësimin dhe shtetbërjen e Kosovës si zgjidhje dhe vullnet i qytetarëve të saj. Unë dhe qytetarët e Kosovës, gjithmonë do ta vlerësojmë si thesar të çmuar kontributin e Tij si dhe rolin që luajti për mirëqenien e vendit tonë.

Isha me fat që kisha mundësinë të punoj me te dhe kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i dashur. Ju lutem, në këto çaste të pikëllimit Tuaj, pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e njeriut tuaj të dashur”.

Share

Go toTop