Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti me drejtorët me Spitalit klinik Ilir Demiri dhe Blerim Osmani kanë mbajtur konferencë për shtyp, në të cilën kanë njoftuar se kanë përfunduar punimet për dy reparte të atjeshme dhe një ambulancë.
Ministri Mexhiti në deklaratën për media vlerësoi se me këtë është rrumbullakosur një projekt i rëndësishëm për Spitalin klinik të Tetovës.
“Pacientëve u sigurohen kushte, që ngjasojnë me qendrat e mëdha mjekësore në të gjithë Evropën. Spitali i Tetovës po bëhet me dy reparte të pajisura dhe të rinovuara plotësisht për gjinekologji dhe neonatologji dhe një ambulancë plotësisht të pajisur dhe të rinovuar. Politikat që ne krijojmë janë për përmirësimin e mëtejshëm të gjendjes së sistemit shëndetësor. Pas 20 vitesh, Klinika në Tetovë do t’i pranojë pacientët në dhoma të rinovuara të pajisura me të gjitha dhomat e tjera të nevojshme ndihmëse dhe sanitare për akomodim adekuat dhe përditshmëri spitalore të pacientëve”, tha Fatmir Mexhiti.
Ai paralajmëroi vazhdim të rinovimeve në qendrat e riparuara.
Nga momenti kur jam ministër i Shëndetësisë, fokusi im ka qenë kujdesi ndaj pacientëve gjegjësisht kujdesi për riparimin e infrastrukturës spitalore dhe pajisimin me pajisjen më të mirë dhe mpë moderne. Këto dy reparte dhe ambulanca janë edhe një sukses në serinë e realizimit të sistemit më të mirë publik shëndetësor. Përcaktimi im i fuqishëm si ministër është angazhimi për zhvillim të shëndetit publik modern të fokusuar në shëndetin e të gjithë qytetarëve, deklaroi Mexhiti.