Reshjet e shiut në Tetovë gjithmonë shkaktojnë dëme për qytetarët, dalin në pah problemet me rrjetin e kanalizimit…

June 2, 2023

Reshjet e fundit të shiut që përfshinë rajonin më të gjerë të Tetovës sërish kanë shkaktuar vërshime nëpër rrugët e qytetit të Tetovës. Situata më e vështirë është paraqitur në pjesën në dalje të Tetovës për në Gostivar, ku viteve të fundit është një pikë kritike ku grumbullohet sasi e madhe e ujit në rrugën kryesore tek rrethrrotullimi i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë. Në këtë vend, krahas problemeve të kanalizimit të ujërave atmosferikë poashtu probleme ka pasur me ujërat e zeza. Pikë tjetër kritike viteve të fundit janë Lagjet Drenovec dhe nënkalimi në lagjen Dardania.

Në lagjen Drenovec, uji ka depërtuar edhe nëpër bodrume të disa shtëpive duke shkaktuar edhe dëme, ndërsa nuk janë kursyer edhe bizneset që janë përgjatë rrugës nga stadiumi i qytetit për në Drenovec dhe Poroj. Nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë theksojnë se problemet e këtilla me vërshimet e kanalizimit atmosferik dhe atij fekal, janë se kanalet për ujitje nuk pastrohen në kohë nga drejtoria që i ka në menaxhim këta kanale. Nga kjo ndërmarrje theksuan se me ndërtimet e reja në shumë lagje të Tetovës, këta kanale për ujitje janë bashkuar me sistemin e kanalizimit atmosferik prandaj, rrjeti nuk mund të absorbojë sasinë e reshjeve të shiut dhe ujin prej këtyre kanaleve dhe vjen deri tek vërshimet nëpër rrugë.

Probleme janë paraqitur edhe në pjesën tek kazerma e qytetit të Tetovës, por pas intervenimit ajo pjesë është kthyer në gjendje normale, ndërsa disa nga pronarët e bizneseve që veprojnë përgjatë kësaj zone janë ankuar se probleme ka edhe rrjeti i kanalizimit fekal dhe kanë apeluar që të merren masa që në të ardhmen të parandalohen këta probleme. Ata kanë thënë se kanë edhe dëme materiale që u janë shkaktuar pronave të tyre. Zakonisht probleme shfaqen në ato lagje të Tetovës që janë ndërtuar pas viteve të 90-ta, sidomos në pjesën e poshtme të qytetit ku mungojnë sistemet adekuate të kanalizimit atmosferik.

/Koha.mk

Previous Story

Ndryshimi i pabesueshëm i Fatmir Spahiut, kilogramët e tepërt janë zhdukur!

Next Story

Një vit nga Dialogu strategjik në mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së

Latest from Blog

Go toTop