REKAPITULAR JAVOR I INDEKSIT/ NISI, POR JO MBARË

(Kuvendi i ri, kryetari i ri, në meritat e BDI-së)

Këtë javë u konstituua Kuvendi i ri. Kuvendi i ri kristalizoi edhe shumicën e re parlamentare, e cila si e do rendi, zgjodhi edhe kryeparlamentarin.

Në shikim të parë, zgjedhja e Afrim Gashit për spiker, është një sukses i VLEN-it, por ai është arritur falë “traditës së vogël” të deritashme siç tha vetë Gashi, pa përmendur se kush e ka bërë këtë traditë. Do të duhej t’i vehej emri meritës: BDI-ja ishte ajo që e ngriti standardin e përfaqësimit dhe e bëri këtë traditë. Pse ka nevojë t’i iket këtij fakti?

Ky standard u arrit, të kujtojmë shumicën e re, në një diverzion pothuajse grusht-shtet nga ana e VMRO-së që bëri çmos ta pengojë më 27 prill 2017 kryetarin e parë shqiptar të Kuvendit. Ishte një këmbëngulje epike gjer në flijesë, që sot është realitet normal.
Kështu i bënte punët BDI-ja. I mbjell faret që frytet i korrin shqiptarët, kushdoqofshin ata.

Në arritjet e BDI-së(dhe për hir të së vërtetës, edhe të përbashkët të partive shqiptare) për Ligjin për përdorimin e gjuhve, Gashi dha betimin shqip dhe për këtë u bë “atraksion medial” të qarqeve nacionaliste që nuk mund ta kuptojnë realitetin e ri.
Por, me gjithë aktin që bëri Afrim Gashi, këtu te gjuha, është fillimi i teposhtëzës së VLEN-it?

(Diversioni i kryetares ndaj gjuhës shqipe)

Sadoqë Afrim Gashi dhe VLEN-istët do ta përjetonin si triumf zgjedhjen për kryetar të Kuvendit, dita e mirë për ta nuk shihet mëngjes, por po shihet një rrugë plot thera i bashkëqeverisjes me VMRO-në.

Fakti që BDI-ja do t’ua mohojë gjithë kohën legjitimitetin për t’i përfaqësuar shqiptarët ndoshta për ta është më pak problematik, edhe pse duhet t’i shtyjë të mendojë se në qeveri hyjnë si forcë më e vogël, si parti jo që i kanë zgjedhur shqiptarët, por si të zgjedhur të Mickoskit, që shumë analistë ua marrin për një hendikep serioz. Problematike mund të mos jetë as fakti se numri i ministrave të VLEN-it do të jetë përgjysmë më i vogël se ai i BDI-së(populli do të krahasojë, megjithatë kush si e me sa!), por le t’ia lëmë kohës të shoshim efektin…

Më problematikja erdhi me hapin e parë si një sinjal shumë serioz nga kryetarja e re, Gordana Siljanovska-Davkova. Një diversion serioz pozitës së VLEN-it ende pa u ulur në qeveri, shefja e shtetit heq gjuhën shqipe nga faqja e saj zyrtare!

Kjo dëshmon se VLEN-se do të bashkëqeverisin me një “ujk që ndërron qimen, por jo tabihatin”, dhe se gjithë përrallat me tupan se Mickoski ka sjellë një frymë të re ndryshe nga Gruevski, bien në ujë! Përpjekjet eventuale të VLEN-it ose edhe të VMRO-së për t’u arsyetuar se ky është veprim i kryetares, (kështu qenë arsyetuar VLEN-istët kur zonja Davkova në fushatë prezantoi idenë për tribunal të ri për UÇK-në!) nuk vlejnë, sepse ajo ishte dhe mbetet kandidate e VMRO-së dhe zbaton politika në frymën e kësaj partie.

Dëgjuam në një deklaratë të Davkovës për diçka tjetër, se ajo është konstitucionaliste dhe do të veprojë duke respektuar kushtetutën. Por heqja e gjuhës shqipe nga faqja zyrtare e presidencës, a nuk është pikërisht shkelje e kushtetutës, duke pasur parasysh nenin që përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare është edhe gjuha që e flasin “të paktën 20 për qind” e popullatës. Ndoshta presidentja mendon se nuk ka një bashkësi që përbën 20 për qind, siç janë robër të kësaj mendësie shumë qarqe intelektuale dhe shumëkush edhe në VMRO, ndaj dhe i lejon vetes dyshimin e saj ta “kushtetizojë”?! Harron ajo se një konstitucionaliste si pretendon të jetë duhet ta respektojë kushtetutën gjersa nuk ndryshon, Dhe për ta ndryshuar në këtë pikë, doemos duhet të sigurojë “shumicë Badenteri”, apo e ka harruar këtë?!

Gjëja e parë që duhet VLEN-i ta vë si kusht për qeverinë e ardhshme, është pikërisht rikthimi i gjuhës shqipe te faqja zyrtare, e pastaj do të duhet t’i bëjnë sytë katër, se këso situatash do të kenë pa numër…

Një nisje rrugëtimi, por jo mbarë për VLEN-in, me një parti që don të bëjë shumë ndryshime, shumë prej tyre, në dëm të shqiptarëve!/INDEKS.MK

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.