Raúl González Blanco, i njohur nga të gjithë si Raul, legjenda e Real Madrid dhe futbollit spanjoll, nuk ka dëshirë të flaës për të ardhmen e tij. Ai shpesh konsiderohet si një pasues i denjë i Carlo Ancelotti në ekipin e parë, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe oferta të tjera.
Në javët e fundit, spanjolli ishte lidhur mbi të gjitha me Schalke 04, por për momentin duket se synimi i tij nuk është të thellojë kontaktet me klubet e tjera. Raul, që prej disa vitesh drejton Real Castilla, skuadrën B të Real Madrid, u shpreh: “Unë i jam përgjigjur kësaj më parë”.
“E ardhmja ime është dita e martë në qendrën tonë stërvitore, ku do të përgatitemi për ndeshjen e radhës”, tha më tej Raul. Gazeta Marca raportoi se Raul mund të largohet në fund të sezonit, pas gjashtë vitesh në krye të skuadrës së Real Castilla, por trajneri ende hesht.