Nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojçiç ka dhënë dorëheqjen pas përfshirjes në sulmin terrorist në Veri, i cili i mori jetën një efektivi të Policisë së Kosovës.v Lajmi është konfirmuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Përmes një interviste për televizionin kombëtar spanjoll, TV Espanjola, udhëheqësi serb tha se Radojçiç ka dhënë dorëheqjen nga detyra e nënkryetarit të Listës Serbe pasi nuk dëshiron të dëmtojë më tej këtë forcë politike.
“Radojçiç nuk dëshiron ta dëmtojë më tej Listën Serbe”, tha Vuçiç.
Deklarata e tij u lexua nga avokati Goran Petronijeviç për publikun nga Beogradi.
“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e
tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”.
Duke lexuar letrën, avokati tha se për veprimet e tij, Radojçiç nuk ka njoftuar strukturat qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës.
“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atiji terror”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Autoritetet e Kosovës akuzojnë Radojçiçin se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë. Përmes disa videove të publikuara nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, Radojçiç duket në mesin e sulmuesve në ndërtesën ku po qëndronin në 24 shtator.
Të dielën, në orët e para të mëngjesit, një grup prej 30 serbësh (sipas autoriteteve në Kosovë) sulmuan Policinë e Kosovës në veri dhe lanë të vdekur policin Afrim Bunjaku dhe plagosën një tjetër. Sulmuesit u vendosën më pa në manastirin e Banjskës, ku ndërhynë pas disa orësh forcat e KFOR dhe EULEX, duke çliruar manastirin. Gjatë aksionit, u vranë tre nga sulmuesit dhe u plagosën dy të tjerë.