Qytetarët duan perspektivë europiane dhe për ta alternativa e vetme mbetet Bashkimi Evropian, thotë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, përcjell Indeks.mk
Sipas tij, politika e kahershme e mbjelljes së frikës e praktikuar nga opozita është arsyeja pse një pjesë e qytetarëve aktualisht janë kundër ndryshimit të Kushtetutës.
“Mbjellja e frikës dhe loja me ndjenjat kombëtare të qytetarëve nga opozita se do të na hiqet identiteti, se do të ketë bullgarizim, federalizim, kantonizim…janë teza që shkojnë vetëm në dëm shtetit dhe qytetarëve. Ne nuk mund dhe nuk duam ta bindim Bullgarinë se kush jemi dhe çfarë jemi”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
Ai thekson se përpos rrugës drejt Bashkimit Evropian, vendi nuk ka alternativë tjetër dhe politikanët janë të detyruar të realizojnë interesat strategjike.
Sipas Mariçiq, kjo do të arrihet me punë të përbashkët përmes së cilës do t’u sqarohet qytetarëve se Maqedonia e Veriut nuk do të humbasë identitetin e saj.
“Nuk ka asnjë rrezik për identitetin tonë nga përfshirja e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Përgjegjësia jonë si politikanë është që së bashku t’i zgjidhim problemet dhe me përgjegjësi t’ua paraqesim qytetarëve pamjen e vërtetë se ndryshimet kushtetuese nuk kanë pasoja negative, përkundrazi, së bashku me reformat do të thotë anëtarësim në BE deri në vitin 2030”, thekson Mariçiq.
Në anën tjetër, Parlamenti Evropian ka publikuar Raportin-Rezolutën e eurodeputetit bullgar Ilhan Quçuk për Maqedoninë e Veriut, të përpiluar pas raportit të Komisionit Evropian, në të cilin përshëndetet përkushtimi i vazhdueshëm i Maqedonisë së Veriut për integrimin në Bashkimin, e në të njëjtën kohë bëhet thirrje për qetësi, dinjitet dhe pjekuri në marrëdhëniet dypalëshe.
Në rezolutën përmendet viti 2030 si datë kur vendi duhet të përmbushë kushtet për anëtarësim në BE. Për rezolutën janë parashtruar 320 amendamente, për të cilat javën e ardhshme do të diskutojë Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian.
Në draft-rezolutën e raportuesit për Maqedoninë e Veriut theksohet se zgjerimi i BE-së është investim gjeostrategjik në paqen afatgjate, ndërsa Maqedonia e Veriut etablohet si partner i sigurt dhe ka zbatuar reforma të qëndrueshme në rrugën drejt BE-së. Në të përshëndetet përkushtimi i vazhdueshëm i vendit për integrim në Bashkimin, që bazohet në përparimin e qëndrueshëm në sigurimin e demokracisë, sundimin e së drejtës dhe të drejtat themelore, derisa lëvizë drejt harmonizimit ndër-sektorial të politikave.
Parlamenti Evropian përshëndet harmonizimin e plotë të Maqedonisë së Veriut me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian – duke përfshirë edhe përgjigjen e saj të hapur ndaj agresionit mbi Ukrainën – në përputhje me masat kufizuese të BE-së ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Më tutje, në rezolutën u bëhet thirrje politik-bërësve të nxisin konsensus kombëtar për integrimin në BE, duke u sendërtuar në fillimin e suksesshëm të procesit të skriningut dhe të punojnë në arritjen, deri në vitin 2030, të qëllimit ambicioz të përmbushjes së kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Raportuesi, shpreh shqetësimin për vonesën e panevojshme në procesin e aderimit; thekson nevojën për të forcuar transparencën, llogaridhënien dhe gjithpërfshirjen e procesit, duke përfshirë edhe dimensionin e tij parlamentar.
Quçuk, për dallim nga homologët e tij bullgarë, përshëndet harmoninë e vendosur mirë ndërmjet bashkësive në Maqedoninë e Veriut dhe i bën thirrje vendit të ruajë përkushtimin e tij shumëvjeçar ndaj multikulturalizmit dhe inkluzionit.
Në rezolutën theksohet përkushtimi i Maqedonisë së Veriut për diplomaci pozitive dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, e cila përsërit mbështetjen e saj të plotë për zbatimin e qëndrueshëm të Marrëveshjes së miqësisë me Bullgarinë dhe Marrëveshjes së Prespës me Greqinë.
Ai paralajmëron kundër përpjekjeve për të minuar marrëdhëniet paqësore të ndërsjella dhe dypalëshe dhe shpreh keqardhje për të gjitha veprimet e brendshme dhe të jashtme që minojnë stabilitetin dhe kërcënojnë pajtimin rajonal.
Në Draft-rezolutën, Quçuk bën thirrje për qetësi, dinjitet dhe pjekuri në marrëdhëniet dypalëshe, u bën thirrje partnerëve rajonalë të rivendosin besimin dhe të bashkëpunojnë në respekt të ndërsjellë dhe në frymën e fqinjësisë së mirë.
Më tutje, u bën thirrje vendimmarrësve dhe shoqërive në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut të marrin përsipër përgjegjësi të përbashkët dhe të kthejnë agjendën pozitive ndërmjet dy vendeve në frymën e Marrëveshjes së miqësisë; shpreh mbështetjen e vet për vazhdimin e dialogut diplomatik dhe social në mënyrë që të gjitha ankesat dypalëshe të zgjidhin me vullnet të mirë.
Raportuesi gjithashtu mbështet përpjekjet për të arritur marrëveshje për ndryshimet kushtetuese që do të përfshinin bashkësitë shtesë në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.
Në raportin e gjatë dhjetë faqe, janë parashtruar madje 320 amendamente në 161 faqe, për të cilat do të diskutojë Komisioni i Punëve të Jashtme, në të cilin eurodeputetët bullgarë do të përpiqen t’i përfshijnë kritikat e tyre ndaj Maqedonisë së Veriut.(Indeks.mk)