Qëllimet e gabuara, shkak i rënies së opozitës shqiptare

/Editorial i portalit indeks.mk/

Opozita është “korrektor” i pushtetit gjithkund në botë. Ajo vëzhgon punën e pushtetarëve, gjuan politikat e gabuara dhe jep alternativat që mendon se janë më të mira. Komunikimi midis pushtetit dhe opozitës, është pjesë e kulturës demokratike të një shoqërie. Harmonizimi i qëndrimeve me opozitën, është shpesh dhe dëshmi për kapacitetet demokratike edhe të pushtetit, por e njëjta gjë vlen edhe për opozitën: a është ajo kundër pushtetit vetëm sa për të qenë kundër dhe me këto kundërshtime shkon gjer në fund, apo edhe dëshiron që idetë e veta t’i jetësojë në këtë bashkëpunim.

Teoria duket se shpesh bie ndesh me praktikën, ku destruktiviteti zë vendin e çdo qëllimi të mirë, kur gjithçka i nënshtrohet një qëllimi të vetëm, ndërrimit të pushtetit me çdo kusht.

Ky elaborim i shkurtër na duket i përshtatshëm për situatat politike që si vend po i kalojmë viteve të fundit, ku i vetmi qëllim “konstruktiv” i opozitarëve ka qenë ikni ju, të vijmë ne! Dhe në këtë agjendë, nuk janë zgjedhur mënyra. Janë bërë bashkëpunime midis subjekteve që kanë agjenda të papërputhshme midis vetes në pikëpamje ideologjike: të majtë ekstremë me të djathtë ekstremë, të papërputhshëm edhe në pikëpamje etnike kur opozitë shqiptare që deklarativisht kanë gojën plot interesa shqiptare, kanë bashkëpunuar me opozitarë me orientim nacionalist të bllokut maqedonas, që shprehen haptas se kanë interesa krejtësisht të kundërta. Të papërputhshëm edhe në pikëpamje gjeostrategjike: forcat properëndimore të deklaruara, kanë bashkëpunuar më forca që perspektivën e shikojnë nga Lindja!
Në këtë kontekst, ky lloj bashkëpunimi i ka dhënë përparësi absolute një parimi makiavelist: qëllimi i arsyeton mjetet! Ose thënë popullorçe, nëse ka nevojë edhe me dreqin bashkëpunojmë…!

E gjithë kjo, në sytë e publikut të gjerë, me shpresën naive se qytetarët do ta miratojnë këtë lloj akrobacioni. Por, gjërat nuk funksionojnë kaq thjeshtë që të shiten kokla për dushk si në atë përrallën popullore. Në kohën e vendimeve të rëndësishme për vendin, kur agjendën evropiane e rrezikojnë pikërisht forca pro-lindore, largimi nga shumica parlamentare e disa deputetëve shqiptarë, doemos do të reperkuohej në pozitën e tyre në shoqërinë shqiptare properëndimore. Pavarësisht deklarimeve, braktisja e shumicës properëndimore, do të ishte hendikep për imazhin e tyre.

Sepse, largimi prej agjendës së forcave progresive që duan Maqedoninë ta çojnë në BE(me deklarim të hapur se nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese), është diçka që është në shpërputhje të plotë me deklarimet e tyre dhe mandatin që kanë marrë. Braktisja e shumicës parlamentare dhe bashkërenditje midis subjekteve që dikur vetë kishin kundërshti mes vete, e bën edhe më të zbehtë kauzën opozitare, e cila nuk merret me politikë konstruktive, por i nënshtrohet qëllimit të opozitës maqedonase, ndërrimin e pushtetit, pikërisht në kohën kur ky pushtet dëshiron ta rrumbullakojë agjendën evropiane.

Ndaj, jo vetëm që vështirë kalon te votuesit shqiptarë, por as te anëtarësia e këtyre subjekteve, prandaj nuk duhet të habisin këto përçarje e largime të reja nga radhët e tyre. Dalja në shesh e qëllimit sipas asaj barcoletës boshnjake “zbrit Huso që të hypë Haso!”, e zhvesh këtë opozitë nga kauzat e drejta, dhe i bën grupe interesash egoiste.

Prandaj, kjo që po ndodh, është pasojë e humbjes së rrugës në oborr të shtëpisë dhe delegjitimim të një opozite konstruktive. Në radhët e tyre tashmë lëvrijnë “armiq” që deri dje ishin bashkë, dhe kjo shtron edhe dilema të tjera rreth potencialit të brendshëm.

Nëse rezimojmë, do të thoshim se opozitarët shqiptarë, duke dashur t’i mbrojnë vetullat, tash po i qesin sytë vetë të gjetur në orientime e qëllime të gabuara! Ata janë para një testi të papritur të vetëshqyrtimeve dhe këtë test me gjasë do ta paguajnë me çmim të lartë.

Share

Go toTop