Pse Gerovski (s’)ka të drejtë kur e lëvdon dhe kritikon Ali Ahmetin

/Editorial i portalit indeks.mk/

Ali Ahmeti dhe BDI, që nga shfaqja e tyre në skenën politike, janë një “cak” i përshtatshëm që gjithkush të provojë “shkathtësitë” e veta “gjuajtëse”, por përvoja e deritashme ka treguar se janë 99 për qind gjasat për të huqur. Ata që i kanë “gjuajtur” vinin e shkonin, por Ali Ahmeti vazhdon mbi dy dekada të qëndrojë i palëkundur. Edhe ata që e kanë kritikuar dikur, edhe ata që vazhdojnë edhe sot, ia pranojnë jetëgjatësinë dhe, edhe kur e kritikojnë, padashur tregojnë edhe pse-të.

Një nga autorët që në të kaluarën është shquar për qasjen kritike, jo vetëm ndaj Ali Ahmetit, por ndaj çdo pushteti, është gazetari i njohur Branko Gerovski, një emër me kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e gazetarisë së pavarur te ne. Qasja kritike dhe ajo konstruktive, shpesh kanë shkuar bashkë me shkrimet e tij. Në këtë pikë, s’ka çka të diskutohet, edhe kur ka qasje me të cilën nuk mund të pajtohemi, duhet t’ia respektojmë mendimin.

Në analizën e tij të fundit, Branko Gerovski, dëshmon shumëçka nga bekgaundi i tij, në mes tjerash, edhe se është penë e shkathtë, se si gazetar ka informacione dhe di të vijë deri te ato më të fshehta, por dhe se është njeri si gjithë të tjerët, të cilët mund të kenë percepcione, të cilat jo domosdo mund të jenë të sakta. Problemi me qasjet e viteve të fundit nuk qëndron aq që është kritik ndaj pushtetit, e në këtë kontekst edhe ndaj BDI-së, por, pse qasja objektive shpesh anon nga qasja opozitare. Edhe kjo s’do të ishte ndonjë problem, sikur qasja e tij të mos ishte e mbarsur edhe me qëndrimet opozitare, në pjesën manipulative të tyre. Nëse mund të arsyetohet qasja manipulative e opozitës me parimin se në politikë gjithçka është e lejuar, kjo nuk mund të thuhet për një autor si Gerovski. Ndërsa është fakt se shkrimet e tij kanë aq afërsi dhe aq finesa opozitare, sikur të mos ishte rastësi.

Gerovski shquhet për faktin se me informatat që ka pasur në disa shkrime, u ka paraprirë ngjarjeve(kujtoni rastin e Boki 13-shit dhe Katica Janevës, që çoi në mbylljen e PSP-së!), duket edhe shkrimi i fundit “Ali Ahmeti në kanxhat e hibridëve” në portalin e tij plusinfo.mk. se ka diçka të tillë. Ne si redaksi duke u hamendur t’u hynim në “tragë” cilët janë dhe ku janë takuar një grup politikanësh dhe oligarkësh për të ndërtuar strategji për rrënimin e BDI-së, për të çka foli Bujar Osmani para disa ditësh, Branko Gerovski, del publikisht dhe vërteton fjalët e tij. Madje përmend edhe se ka zbuluar të paktën katër nga këta pjesëmarrës. Pra, edhe vërteton edhe se këtu ka diçka “prapa”…
Pra, gjithë ata që nuk u besuan fjalëve të Bujar Osmanit, le ta lexojnë tekstin e Gerovskit, i cili e pohon të njëjtën gjë. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose indirekt, vërteton se ka forca të cilat vërtet janë të gatshëm të shkojnë gjer në fund për rrënimin e BDI-së. Çështja pse në argumentimin e mëposhtëm ka finesa të tjera, nuk e mohon faktin që BDI-ja dhe Ali Ahmeti janë halë në sy për shumë faktorë në vend, mu për arsyet për të cilat pavarësisht se Gerovski u jep edhe paksa tone ironike, pra, si mbrojtës e kauzës shqiptare për barazi, që ka ndërruar realitetin shoqëror e politik në vend. Përfaqësimi i lartë(Geroski e tepron kur thotë 40 për qind, për këtë duhet pak më shumë se fobi nga shqiptarët që e ka shumëkush, nuk e themi për vetë atë!), federalizmi bilingual(në këtë temë ka shumëçka për t’u argumentuar kundër, por as kjo nuk ia vlen, vetëm të themi se realitetinë Maqedoni është bilingual), etj.

Këto arritje të BDI-së, janë gjëra për të cilat disa qarqeve nacionaliste kaherë u kanë penguar BDI-ja dhe Ali Ahmeti. Ka dhe diçka të re nga ky mandat i BDI-së, që kundërshtuesve u bën më së shumti përshtypje, e këtu për fat të keq, nuk bën përjashtim as Gerovski. Është fjala për ndikimin e faktorit shqiptar edhe në politikat ekonomike, në politikën e jashtme, eurointegrime etj. Në emër të gjoja ndjeshmërisë së çështjeve brenda maqedonase, shkohet në drejtim të mohimit që në këto fusha, të mos kenë të drejtë të merren kuadrot shqiptare. Për punën e ministrit të jashtëm, është një tezë opozitare që ka ardhur duke u forcuar në saje të manipulimit opozitar sikur një ministër shqiptar shet interesat maqedonase. E kemi thënë edhe më herët që gjërat e tilla nuk mund t’i adresohen si e drejtë ekskluzive e një ministri, sepse politika shtetërore në këtë pikë është gjithëpërfshirëse. Opozita këtë fakt personalizimi, e përdor kundër qeverisë, edhe pse e di fare mirë se si shkojnë punët. Është për të ardhur keq që kështu mendon edhe një penë si Gerovski.

Gerovski në këtë shkrim edhe në çështjen e politikave ekonomike, u jep dimension etnik, njësoj siç bën opozita. E sheh si problem të madh që në krye të një projekt kapital(ai e quan “Plan Mareshal”) siç është realizimi i korridoreve 8 dhe 10D nga kompania “Bechtel dhe Enka”, qëndrojnë shqiptarë. Sikur nuk kanë të drejtë që kuadro shqiptare të udhëheqin me to. Doemos do të ketë harruar se në tre resorë ekonomikë janë tre kuadro shqiptare, dy BDI dhe një nga LSDM-ja dhe i vjen disi natyrshëm që përgjegjësinë ta ndajnë edhe ata.
Përse na qenka problem kjo? A ka nevojë t’ua kujtojmë kritikuesve se ecuritë ekonomike edhe kur i kanë pasur në dorë kuadro të partive maqedonase, ka pasur edhe shembuj të mirë, edhe shembuj të këqij. Pasi e marrin në kontekst negativ angazhimin e zv.kryeministrit të parë në krye të këtyre korridoreve, për diçka që ka nisur mbarë dhe që presim të përfundojë ashtu, le të na lejohet të pyesim: kush ishte në krye të procesit të privatizimit në Maqedoni, të atij privatizimi që shumëkush e konsideron të padrejtë dhe madje kriminal?! Ishin kuadro maqedonas! Nga kujtesa na ka mbetur dëbimi i një investitori të jashtëzakonshëm siç është kompania “Audi”, që donte të ndërtonte fabrikë në Ohër? Mos e dëboi ndonjë ministër shqiptar?!

Në të vërtetë, nuk qëndron problemi te vlerësimi negativ i punës konkrete të dikujt, por te prejudikimi që në vetvete ka një paragjykim me ngjyrime etnike, që e përdor opozita, por që për fat të keq, ja nuk shkojnë më larg as autorë objektivë që duhet t’i shikojnë gjërat më ftohtë.
Sepse, vetëm me klishe dhe paragjykime mund të shpjegohet frika e stërmadhuar se shqiptarët mund të shesin interesat maqedonase, se shqiptarët nuk kanë të drejtë, ose nuk janë të aftë të drejtojnë projekte zhvillimore të vendit.
Prandaj, shkrimi “Ali Ahmeti në kanxhat e hibridëve”, ka shumë vlerësime që objektivisht përshkruajnë rolin e BDI-së dhe shqiptarëve në Maqedoni, por dhe gjëra të cilat nuk janë të çliruara nga vizura bardhe e zi e shikimit të realitetit.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.