Portieri i Curacao, Eloy Room e realizoi një ëndërr të kamotshme mbrëmë.
Edhe pse i pësoi shtatë gola, prej tyre tri nga Lionel Messi, në humbjen 0:7 nga Argjentina, ai nuk e kishte problem këtë punë.
Kjo pasi Room pas lojës arriti ta siguronte fanellën e kampionit aktual botëror, shkruan “Gazeta Express”.
“Ëndrrat bëhen realitet”, ka shkruar ai pas lojës në rrjetet sociale, duke e publikuar fotografinë e fanellës së Messit.
E në një intervistë dhënë pas lojës, ai e shprehu gëzimin dhe kënaqësinë që e siguroi fanellën e shtatë herë fituesit të Topit të Artë.
“Pas ndeshjes, Messi më tha se i kisha disa pritje të mira. Nuk do ta heq fanellën e tij dhe do të fle me të”, ka thënë tutje ai.
Para fillimit të lojës, në një video të publikuar në rrjetet sociale, lojtarët e Curacao ia kërkuan Messit 23 fanella për secilin, por në fund vetëm portieri Room ishte me fat, shkruan “Gazeta Express”.
Ata madje me shaka thanë se do të përlesheshin mes vete nëse Messi e jep veç një fanellë.
Natyrisht, kjo nuk ndodhi pas lojës… /Gazeta Express/