(Editorial i portalit indeks.mk)
450 dhe 138 kanë një dallim mes vete, anise janë numra. I pari është tri herë më i madh se tjetri, ose më saktë, 300 për qind më i shtrenjtë!
Nëse i pari është i gënjeshtërt, e tjetri i vërtetë, atëherë ato edhe më shumë flasin për aktorët që qëndrojnë prapa këtyre numrave.
Këtë matematikë e bëmë si rezultat i përplasjes “së madhe” politike të VMRO-së, me zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi.
Në “qendër” të vorbullit, ose më saktë “nebulozës” së partisë së Mickovskit, u gjetën “patikat” e Zëvendëskryeministrit!
Sipas tyre, patikat kushtokan 450 euro, sa një rrogë e qytetarit të rëndomtë.
Por, më në qendër, është gënjeshtra e madhe. Ose tendenca që përmes gënjeshtrave për gjëra triviale, të bëhet politikë e madhe.
Sa mban llogari VMRO-ja për interesat nacionale, kur merret me çështje kaq “të madhe” që e ka trondutur selinë e saj, sa të mblidhen organet partiake për të licituar me çmimin e patikave të Grbit. S’do të ishte asgjë për të shkruar, sikur të mos ishte kjo edhe një dëshmi se ku çojnë gënjeshtrat.
Në mjerim! Në mjerimin politik të mungesës së idejshmërisë, ndaj dhe alternativa tjetër është që t’i japësh krahë imagjinatës, me shpresën se trillimet pinë ujë te publiku.
Sepse, përgjigja ekspres, që gënjeshtra të mos bëhet ortek, që dha kabineti i Grubit, nxori në shesh të vërtetë: nuk janë blerë 450 euro, por 138 euro!
Me një kësi çmimi, jo një zëvendëskryeministër, por dhe një tinejxher që ka dy prind me rrogë mesatare, mund t’ia lejojë vetes luksin për atletete Off-White që e kanë alarmuar “Pallatin e bardhë”.
Nuk është çështja te atletet, është çështja te niveli i politikbërjes, te mjerimi i kësaj politikëbërjeje, që mundohet me çdo kusht të dëshmojë trillimet e veta në adresë të Zëvendëskryeministrit që u është bërë halë në sy për shkak të shtyrjes përpara të projektit madhor të korridoreve 8 dhe 10D, ndaj dhe çka t’u kujtohet e lidhin me to.