Këshilltari i opozitës në Kuvendin e Topoles në Serbi, D. M. (53), ka spërkatur benzinë mbi vete dhe i ka vënë flakën vetes para komisariatit mbrëmë vonë.
Ai u ndihmua shpejt dhe mbijetoi, megjithatë, në gjendje të rëndë shëndetësore me djegie të rrezikshme për jetën, transmeton Telegrafi.
Dje është mbajtur seanca e kuvendit komunal dhe në orët e vona të mbrëmjes, ky këshilltar ka dalë para stacionit policor ku i ka vënë flakën vetes.
Dyshohet se fillimisht ka qëndruar aty pranë për disa orë dhe më pas ka vendosur për këtë akt.
Oficerët e policisë i kanë ardhur në ndihmë duke ia shuar zjarrin. Ekipet e emergjencës kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë transportuar burrin me djegie të rënda në Qendrën Klinike në Kragujevc.
Pacienti është mbajtur për trajtim në Qendrën Klinike në Kragujevc, ku ndodhet në repartin e kujdesit intensiv.
Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Arangjelovac, ndërsa policia zyrtarisht nuk ka bërë të ditur nëse e dinë shkakun e vetëdjegjes së këshilltarit 53-vjeçar. /Telegrafi/