Partia Liberal-Demokratike shpreh shqetësimin për sjelljet e pahijshme të vazhdueshme dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Afrim Gashi.
“Pasi sigurimi i tij së fundi arriti të shkaktojë një incident ndërkombëtar në aeroportin e Shkupit gjatë vizitës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sot Gashi është sërish në rol udhëheqës, këtë herë si dhëndër për nusen, me veturë zyrtare në një kolonë dasmash në Kosovën fqinje.
Pyesim, a ka pasur zoti kryeparlamentar Afrim Gashi fletëudhëtim dhe dokumentacion zyrtar që të marrë nusen me veturë zyrtare jashtë shtetit? Nëse ka pasur, ne kërkojmë shpjegim se në bazë të cilit është nxjerrë ai urdhër, për çfarë qëllimi, për çfarë kohëzgjatjeje dhe normalisht, sa na kushton e gjitha, nga taksat e kujt mbahen automjetet dhe flota shtetërore.
PLD apelon që të ndalohet sjellja “kaubojjore” e zyrtarëve të caktuar, përfaqësuesve të institucioneve në shtet dhe në vend që të tundin armët në aeroporte dhe të shkojnë në dasma nëpër lagje me automjete zyrtare, të ulen dhe të bëjnë diçka për të mirën e qytetarëve dhe shteti.
Me një qëllim të vetëm: parandalimin e keqpërdorimit të automjeteve shtetërore, PLD-ja propozon që të gjitha veturat zyrtare të jenë të shënjuara në mënyrë të dukshme dhe të qartë (si taksitë në Qytetin e Shkupit) ose që të gjitha të lyhen me të njëjtën ngjyrë.
Vetëm në këtë mënyrë, me miratimin e një mase kaq konkrete, do të mundësohet reduktimi i keqpërdorimeve në të ardhmen, duke reduktuar njëkohësisht edhe shpenzimin e pakuptimtë të mjeteve buxhetore për qëllime private dhe personale”, tha PLD.