Për herë të parë në Itali, deputetja ushqen të birin me gji në sallën e Parlamentit

Një i porsalindur është ushqyer me gji në Parlamentin italian për të parën herë në historinë e këtij vendi.

Foshnja është djali i deputetëve të Lëvizjes “5 Yjet”, Gilda Sportiello dhe Riçardo Riçiardi.

Federiko i vogël, vetëm dy muajsh, bëri debutimin e tij në Montecitorio në bazë të vendimit të juntës për rregulloren, e cila tashmë u lejon deputeteve nëna të marrin pjesë në punimet e Parlamentit me foshnjat e tyre dhe t’i ushqejnë me gji deri kur të bëjnë 1 vjeç.

Për këtë rast u ngrit një stacion në rreshtin e fundit të sipërm të sallës së Parlamentit.

“Është hedhur një hap i rëndësishëm, mbi të gjitha sepse përfaqëson një precedent dhe një mesazh për vendin dhe për të gjitha gratë”, tha Gilda Sportiello pasi të gjithë nxituan t’a fotografojnë teksa i jepte gji djalit të saj.

Vendimi i juntës për Rregulloren u mor pas një Odg të paraqitur nga vetë Sportiello dhe miratuar nga Dhoma në legjislaturën e kaluar.

“Më në fund ne kemi gjetur një mënyrë për të punuar në heshtje perfekte. Që nga kjo seancë debuton Federiko i vogël, djali i koleges sonë Gilda Sportiello, e cila për herë të parë me unitetin e grupeve është këtu me ne. Urimet më të mira për Federikon për një jetë të gjatë, të lirë dhe të qetë”.

Kështu u shpreh nënkryetari i Parlamentit, Giorgio Mulé, teksa i uroi mirëseardhjen mysafirit të vogël në Montecitorio, ndërsa njoftimi u prit me duartrokitje.

Share

Go toTop