Në shenjë të 22 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, u realizua edicioni i dytë i Peace Festivalit, i cili na solli një atmosferë madhështore dhe të paharrueshe në Sheshin Skëndërbeu.
Për këtë eveniment të paharrueshëm edhe yjet e estradës në intervistat për indeks u shprehën se ishte një kënaqësi shumë e madhe për ta që të këndonin përpara shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, si dhe theksuan që ngjarje të tilla duhet organizuar më shpesh në qytetin e Shkupit.
Në intervistën për indeks.mk Bardhi u shpreh se është një kënaqësi shumë e madhe që t’i shohë dhe të këndojë përpara gjithë atyre njerëzve të mbledhur të ardhur për Peace Festival.
“Më pëlqen shumë ky organizim ngaqë jam dhe i vendit i Kumanovës, dhe më pëlqen shumë që po kanë një vend shqiptarët ku të mblidhen që të festojnë me po këngëtarë shqiptar, por edhe ne po gëzohemi kur po i shohim shqiptarët të bashkuar”.
Gjithashtu reperi nga Kosova Lyrical Son shprehu një entuiziazëm të madh për organizimin e këtij festivali, i cili mezi priste që të dalë para publikut shkupjan, pasi një kohë të gjatë nuk kishte kënduar në një ambient si Sheshi Skënderbeu.
“Është një dashuri shumë e madhe për neve këtu, edhe unë veproj sipas ligjit të tretë të Njutonit aksioni për reaksionin”, u shpreh në mënyrë metaforike për portalin tonë, duke shtuar se shqiptarët e Maqedonisë janë njerëz të mirë, patriotë, mikpritës dhe nuk ka ndonjë ndryshim me shqiptarët tjerë, pavarësisht kufijve që i ndajnë”.
Edhe Mc Kresha shprehu kënaqi të madhe për pjesëmarrjen në këtë koncert, sepse, si atij, ashtu dhe Ledri Vulës, i kanë munguar organizimet e tilla.
”Jam shumë i lumtur që po organizohen evente të tilla, rrugës për këtu e pashë atmosferën e krijuar nga njerëzit që ishin mbledhur, dhe ma mori mendja që Shkupit i kanë munguar organizimet e tilla, prandaj duhet që të ketë organizime të tilla sa më shpesh, sepse ashtu si Tirana dhe Prishtina edhe Shkupi e ka vendin e vet.”, komentoi Ledri Vula, i cili shfrytëzoi binën për t’iu falënderuar shqiptarëve për solidaritetin ndaj Kosovarëve në vitin 1999″.
Atmosferën që krijuan Ledri, Tuna, Nojzi, Ylli Limani, Lyrical Son, dhe MC Kresha, janë dëshmitarë ata disa mijëra shikues të të gjitha moshave në mbrëmjen e paharruar të 13 gushtit, ku Sheshi Skënderbeu ishte i ngushtë për atë lum njerëzish që kishin ardhur t’i shohin këta artistë nga Maqedonia dhe Kosova dhe Shqipëria./indeks.mk